Pensionimi i myftiut të Shkupit dhe nevoja për përzgjedhjen e myftiut të ri, ka shkaktuar reagime të shumta të imamëve dhe myslimanëve të Shkupit. Kryetari i Forumit Islamik të Mynihut, Benjamin Idriz, thotë se çerekshekulli i kaluar, dëshmon për organizimin katastrofal të jetës zyrtare të Islamit. Kjo periudhë, thekson Idriz, në histori do të mbahet mend se Islamin institucional e ka ruajtur populli e jo institucioni, i cili duhej të ishte rojtari institucional i fesë. Idriz kritikon edhe ceremoninë lamtumirëse të ish myftiut Rexhep ef. Jusufut, për të cilën thotë se duhej të ishte organizuar në njërën nga xhamitë e Shkupit dhe para xhematlinjëve.
“Vetë pamja vizuale e ceremonisë flet qartë se sa është larguar kryesia e BFI-së nga kultura dhe tradita e këtij institucioni më të lartë fetarë. Në vend që ceremonia të mbahet në një xhami qendrore, në prezencë të imamëve të Shkupit dhe xhematlinjve, ku edhe vet myftiu të japë lamtumirën dhe ajo t’i dedikohet popullatës myslimane, duke i radhitur rezultatet veprimtarisë së tij, ajo ceremoni mbahet në një lokal, dhe ku myftiu nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme. Në vend që dhurata t’i dorëzohet (sipas video-incizimit ishte kostum) në një paket të veçantë, ajo jepet njësoj sikur njeriu blen diçka në çarshi. Kështu u përcjell myftiu. Shkurt thënë, në mënyrë shumë “fshatareske” dhe aspak dinjitoze për një myfti të Shkupit!”, thotë Kryetari i Forumit Islamik të Mynihut, Benjamin Idriz.
Imami i mirënjohur nga Shkupi që shërben në Mynih, thekson se Shkupi është epiqendra e Islamit në jug të Ballkanit, duke shtuar se nga ky qytet kanë dalë figura të njohura fetare, në mesin e të cilave edhe
Ataullah efendiu dhe Fetah efendiu. Andaj, thekson Benjamin Idriz, ka ardhur koha për një fillim të ri, me përzgjedhjen e një lideri të myslimanëve të Shkupit, i cili do të jetë teolog i diplomuar dhe me gradë akademike, i njohur me devotshmëri dhe rezultate të shumta.
“Duhet të jetë një myfti-efendi i cili ka potenciale për të vënë njësoj ura bashkëpunimi edhe me Lindjen edhe me Perëndimin, me mysliman dhe me të krishterë, edhe me hoxhallarët edhe me xhematlinj, edhe me qytetarët edhe me fshatarët. Duhet të jetë myfti-efendi i cili do ta ngrejë zërin kundër sharjeve dhe fyerjeve në lokalet e BFI-së, kundër keqpërdorimin e mallit të myslimanëve dhe kundër dembelisë së punëtorëve”, thekson Idriz.
Reagimi i imamit Benjamin Idriz është në vazhdën e reagimeve të shumta që vijnë pas paralajmërimeve se një hoxhë kontrovers nga Berlini, Zekerija Idrizi, mund të zgjidhet si myfti i ardhshëm i Shkupit.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Zgjedhjet në BFI, reagon kryetari i Forumit… by tvshenjaofficial