333 media janë paraqitur në KSHZ për program të paguar politik. 257 prej tyre janë portale, 43 radio, 33 televizione dhe 8 media të shtypura. Shifrat nuk janë përfundimtare deri sa KSHZ-ja të kontrollojë të gjitha aplikimet, shkruan Alsat.
Çdo parti/koalicion vendos vetë se cilit portal online do t’ia japë paratë për reklama. Një portal mund të marrë maksimumi 15 mijë euro nga një pjesëmarrës në zgjedhje. Shpërndarja e mjeteve në mediat online në shumë raste është jotransparente.
Buxheti total për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2025, të cilat tashmë janë shpallur, arrin në 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë para të destinuara për mediat dhe reklamat politike të paguara. Përveç këtyre parave, është edhe shuma për shpërblimin e anëtarëve të këshillave zgjedhore, transportin dhe shpërndarjen e anëtarëve të KSHZ-së dhe materialit zgjedhor nga KSHZ-ja në qendrat e votimit.
Për rreth 3,500 qendra votimi, 21,000 persona nga administrata duhet të zgjidhen për të qenë në këshillat zgjedhore. Përveç kësaj, partitë politike ose koalicionet duhet të nominojnë 14,000 anëtarë të tyre për të qenë pjesë e këshillave zgjedhor.
Paralelisht vazhdojnë të rrjedhin edhe afatet e tjera ligjore. Shqyrtimi publik i listës zgjedhore zgjat deri më 11 shtator. Listat e kandidatëve të këshilltarëve dhe listat e kandidatëve për kryetarë komunash mund të dorëzohen deri më 13 shtator, 35 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Fushata zgjedhore fillon më 29 shtator kurse 18 tetori është heshtje zgjedhore.
19 tetori, e diel, është dita e votimit, kurse rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale është më 2 nëntor.