Rezultatet nga të dy raundet e zgjedhjeve lokale, në Maqedoni, paralajmërojnë ndryshime edhe në përbërjen qeveritare dhe parlamentare. Por, është e pasigurt se cilët do të jenë hapat e ardhshëm dhe se si do të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve ndaj Qeverisë dhe Parlamentit, shkruan Almakos.
Nga zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski thuhet se nuk kanë një qëndrim të prerë, përderisa nuk ka një përfundim, për shkak të ankesave të partive, dhe organizatave qytetare, si dhe kualicioni që pritet i partive politike.
“Për moment nuk do të komentojmë, por presim që të përfundojë ky proces i zgjedhjeve dhe do të shohim. Gjithçka varet nga kualicioni qeveritar i partive, të cilët ato duhet pyetur”, tha shkurt Boshnjakovski, për Almakos.
Ndërsa, nga Aleanca Shqiptare thonë se rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet lokale nuk do të shfuqizojnë rolin e partisë në qeveri, si dhe hudhin poshtë qëndrimet e dy partive, asaj maqedone dhe shqiptare, që kanë fituar kanditatë në më shumë komuna të vendit. Nga kjo parti e pohojnë forcën e tyre që do të ketë në Qeveri, ku edhe synojnë të hapin procesin euro-atlantik, për qytetarët e Maqedonisë.
“Rezulltati pozitiv i ASH në zgjedhjet lokale në asnjë mënyrë nuk e minimizon rolin e ASH-së në qeveri, pavarësisht antagonizmave politik që kishim me LSDM dhe BDI-në që nuk e rrezikojnë konceptin e qeverisë për ta reformuar, sistemin e drejtësisë, për të krijuar një barazi politike dhe ekonomike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për te hapur nje shpresë euro-integruese për qytetarët e sajë, përkundrazi, ASH bëhet force relevante në Qeveri dhe si e tillë duhet respektuar”, tha zëdhënësi i Alencës Shqiptare, Flakron Bexheti, për Almakos.
Nga kjo parti shtojnë se kualicioni ASH me lëvizjen BESA, i tejkalojnë votat e BDI-së, në nivel republikan, ku edhe paraqitet një gjendje e re në taborin qeveritar, ku edhe roli i përfaqësimit të BDI- së, në qeveri vihet në pikëpyetje.
“Ndërsa, votat e koalicionit të ASH dhe Lëvizjes BESA që dukshëm i kalojnë votat e BDI në nivel republikan, paraqesin një situatë të re, që e vënë në pikëpyetje rolin e përfaqësimit të BDI-së në Qeveri, dhe kjo situate godet legjitimitetin që tani më e ka të cunguar dhe rrezikuar BDI-ja nga koalicioni ASH dhe BESA”, thonë nga Aleanca Shqiptare, për Almakos.
Ndryshime në përbërjen qeveritare tani për tani priten në pozitën udhëheqëse në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak se Arben Taravari, i cili vjen nga Aleanca për Shqiptarët, u bë kryetar i komunës së Gostivarit. Person i ri në Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev duhet të vijë edhe në vendin e ministrit pa resor i angazhuar për investime të huaja pasi mbrëmë, Ramiz Merko nga BDI-ja e fitoi Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët në Strugë. Kryetar i Çairit u bë Visar Ganiu nga BDI-ja, i cili ishte zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.
Nga mesi i kësaj jave pritet që parlamenti të vazhdojë punën pas raundit të djeshëm të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas paralajmërimeve nga Kabineti i spikerit, Talat Xhaferri në seancën e parë do të konstatohen dorëheqjet e dy deputetëve nga blloku shqiptar të dorëzuara para zgjedhjeve, do të përcillet edhe informata për disa deputetët, të cilët fituan mandate të kryetarëve të komunave, si dhe verifikim të të rinjve.
Në vendin e Bilall Kasamit nga BESA, i cili nuk arriti ta fitojë funksionin e kryetarit të komunës në Tetovë, vjen Nexhbedin Karemani. Dorëheqje dha edhe Bardhyl Dauti nga PDSH-ja, i cili ishte kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, por ende nuk dihet se kush do të ulet në funksionin e deputetit në vend të tij. E radhës në listën e PDSH-së në NJZ6 prej nga vjen ai është Merale Uzeiri Ferati, ndërsa pas tij Imer Aliu.
Grupi i deputetëve të LSDM-së gjithashtu do të pësojë ndryshime pasi kryetar i Shkupit u bë Petre
Shilegov, ndërsa kryetarë të komunave të Karposhit Stefan Bogoev, Shuto Orizarës Kurto Dudush, Kumanovës Maksim Dimitrievski, Gjevgjelisë Sashko Pockov, Strumicës Kosta Janevski dhe Shtipit Bllagoj Boçvarski. Vendet e tyre të deputetëve pritet t’i marrin Tatjana Lalçevska, Aneta Simeska-Dimoska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, Kostadin Kostadinov, Agim Murtezanov dhe Kostadin Acevski.
Ndryshime në raportet parlamentare priten edhe pasi mes dy raundeve Çedomir Sazdovski nga GROM-i e njoftoi kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se do të funksionojë si deputet i pavarur, e jo si pjesë e grupit të deputetëve të opozitës.
Delvina Kërluku
Almakos.com