Ka shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhshme lokale për Komunën e Kërçovës të garojnë tre kandidatë shqiptarë.
Kryetari i Lëvizjes BESA dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka konfirmuar se ky koalicion do të ketë një kandidat për Kërçovën, por pa e zbuluar ende emrin. Sipas tij, vendimi përfundimtar do të merret pas konsultimeve me qytetarët, strukturat partiake, sektorin civil dhe aktorë të tjerë të shoqërisë.
“Janë në opsion disa kandidatë që ne si VLEN do t’i shqyrtojmë edhe në konsultim me qytetarët, me strukturat e të gjitha partive politike, me sektorin civil, intelektualë dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë. Për disa komuna mund të konsultojmë edhe agjenci që matin opinionin publik për të parë se cili kandidat do të jetë më i përshtatshëm për qytetarët”, tha Kasami.
Ndërkohë, kandidaturën e tij tashmë e ka zyrtarizuar Shkodran Alili, i cili do të garojë si kandidat i pavarur. Ai ka bërë thirrje për hapje të skenës politike ndaj brezit të ri.
“Besoj se është koha për një rotacion politik, që t’i hapet rrugë rinisë, të motivohet dhe mbështetet brezi i ri. Ka ardhur momenti që ne të tregojmë se çfarë dimë dhe çfarë mund të ndërtojmë”, u shpreh Alili.
BDI, partia që tradicionalisht ka pasur mbështetje të fortë në këtë komunë, ende nuk ka dalë me një emër kandidati. Megjithatë, kryetari aktual i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, është shprehur i gatshëm për të kandiduar për një mandat të katërt – gjithnjë nëse kështu vendos partia, bazuar në rezultatet e sondazheve.
“BDI ende nuk ka kandidat, sepse gjithmonë i ka bazuar përzgjedhjet në sondazhe dhe në mbështetjen që kandidatët kanë nga qytetarët. Nëse qytetarët më mbështesin, unë jam i gatshëm të garoj sërish”, deklaroi Dehari, duke konfirmuar se tashmë ka filluar takime me mërgatën në kuadër të përgatitjeve.
Nga blloku maqedonas ende nuk ka sinjale për kandidatura zyrtare. Pritet që në javët në vijim, VMRO-DPMNE dhe LSDM të dalin me emrat e tyre për Kërçovën.