Të dielën, gjatë zhvillimit të Zgjedhjeve të Tetë Lokale në Maqedoni, procesin zgjedhor do ta monitorojnë gjithsej 1.451 vëzhgues të akredituar, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), janë akredituar 807 vëzhgues nga organizata vendase dhe 644 të huaj. Përveç tyre, 12 gazetarë ndërkombëtarë janë gjithashtu të akredituar për mbulim mediatik të procesit zgjedhor.
Organizata vendase me numrin më të madh të vëzhguesve është Zyra për Zhvillim të Inovacioneve Shoqërore dhe Sociale “Wake Up” – Shkup, e cila ka angazhuar 549 monitorues.
Ndër organizatat ndërkombëtare, numrin më të madh të vëzhguesve e ka ODIHR – Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, me 524 përfaqësues të akredituar.