Partia Demokratike Shqiptare vazhdoi prezantimin e fushatës parazgjedhore në Kumanovë.
Të pranishmëve në këtë tubim iu drejtua kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, i cili mes tjerash tha se “fjalori ynë është fjalor i së vërtetës dhe vetëm me realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve zgjidhen edhe çështjet tjera jetike. Votimi i partisë së vërtetë opozitare, PDSh jep një mesazh të fortë bashkësisë ndërkombëtare, miqve tanë, që të jenë më kontribuues dhe të mundemi të ecim përpara”,- theksoi Thaçi. Ai më tej shtoi se dhënia e vullnetit politik opozitës së vërtetë shqiptare në vete mbart një mesazh shumë të madh dhe tejet të qartë.
“Ka një mesazh të madh përbrenda maqedonasve, jeni shpurë e drejtuesve që i mashtroni për Shqipërinë dhe Kosovën, se realisht populli shqiptar tërësisht është i pakënaqur nga të drejtat dhe sigurisht se edhe bashkësia ndërkombëtare, aleati jonë, BE dhe ShBA, kjo votë i shtyn që ata të jenë më kontribuues dhe ne të ecim përpara”,- tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Ndërkohë, kandidati i PDSh-së për kryetar komune në Kumanovë, Besnik Memeti, tha se vota e dhënë për PDSh-në ofron zgjidhjen e halleve të qytetarëve në këtë komunë. Fillimisht do të rregullohet kaosi urban dhe do të ndërpritet pabarazia në investim, që i dallon vendbanimet shqiptare nga ato maqedonase.
“Platforma jonë ofron rrugë drejt zgjidhjes së të gjitha halleve tona. Për Kumanovën ofron rregullimin e kaosit urban, për mos të thënë krimin urban, që është bërë vite me radhë e që me angazhimin tonë do të ndërpritet. Barazimi i infrastrukturës në vendbanimet shqiptare me ato maqedonase do të jetë prioriteti im si kandidat dhe prioritet i këshilltarëve, për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit tejet të vjetërsuar dhe duke pasur parasysh se ende kemi gypat e azbestit, që me norma ndërkombëtare janë të ndaluara. Do të rregullojmë edhe sistemin atmosferik të ujërave të zeza, duke mos lënë në harrese aspektin ekologjik të këtij vendi”,- theksoi kandidati i PDSh-së për kryetar komune në Kumanovë, Besnik Memeti.
Kumanovarët duhet të dalin masovikisht të votojnë në zgjedhjet lokale duke përkrahur kandidatin e PDSh-së, i cili ofron perspektivë për Kumanovën, u tha me këtë rast.