Lëvizja BESA, e mbështetur nga partneri i ri i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët, në një vizitë sot në Universitetin e Europës Juglindore, kërkuan mbështetjen e akademikëve, profesorëve e intelektualëve të fushave të ndryshme për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që mbahet të dielën.
Ata shkëmbyen ide, përvoja nga njëri-tjetri, gjithashtu kërkuan mbështetje në zgjedhjet e 29 tetorit, me premtimin se do të jenë pranë tyre për të mirën e përgjithshme. Bilall Kasami, kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes BESA tha se ky bashkëpunim është bërë për popullin dhe rrjedh nga kërkesa e kamotshme e popullit dhe besoj se vjen në kohën e duhur.
“Ky bashkëpunim do të japë rezultatet e duhura për ndryshim në të mirë të të gjithëve”,- shtoi Kasami.
“Bashkëpunimi gjithmonë fiton karshi përçarjes, ne dëgjuam zërin e populli dhe besoj shumë që populli do të reflektojë dhe do të përkrahë këtë bashkëpunim. Ashtu siç u përmend, jo rastësisht ne jemi këtu bashkë më profesorë që të konsultohemi dhe bisedojmë që rezultatet e kësaj fitore t’i materializojmë sa më mirë dhe ne interes e qytetarëve gjegjësisht do të na duhet përkrahja e stafit akademik., fatmirësisht kemi fatin që këtu në Tetovë kemi dy universitete dhe politika këtë nuk e ka shfrytëzuar sa duhet këtë benefit t’i themi në të mirë të zhvillimit të komunitetit dhe komunës së Tetovës”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Tetovë nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami.
Sipas Kasamit, bashkimi me Aleancën do ta bëjë të mundur largimin e BDI-së nga Qeveria, e cila, sipas tij, më shumë i ka sjellë dëm se sa dobi popullit.
“Bashkë me Aleancën për Shqiptarët jemi në raundin e dytë në të gjitha komunat gati se shqiptare dhe besojmë që shqiptaret ashtu siç na presin krahë hapur edhe ditën e votimin do te dalin ne mënyrë masovike të na mbështesin këtë koalicion dhe njëherë përgjithmonë të largojmë këtë të keqe që na ka kapluar edhe në pushtetin qendror edhe atë lokal”,- tha kandidati për kryetar komune në Tetovë nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami.
I pyetur për bashkëpunimin e mundshëm me VMRO-DMNE-në, Kasami tha se Lëvizja BESA është në shërbim të shqiptarëve dhe se komunikimi i të gjitha subjekteve është në nivel të bashkëpunimit në kuadër të institucioneve.
“Ne nuk vrapojmë as pas VMRO-së e as pas LSDM-së, për ne target janë interesat e shqiptarëve dhe do të vrapojmë pas tyre, ata që vrapojnë pas LSDM-së dhe VMRO-së janë pikërisht ata që na akuzojnë ne për këtë bashkëpunim, sepse mendojnë se edhe ne jemi si ata”,- përfundoi Kasami.
(Farije Dauti-Bakiju, TVM2)