Në seancën e parë plenare për këtë sesion të ri pas pushimeve të fundvitit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kusht i patjetërsueshëm për PD.
“Meqë jemi tek kalendari, opozita parlamentare ka përcaktuar tashmë si çështje të saj parësore, zhvillimin e zgjedhjve të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë çështje më thelbësore për ne sesa garantimi i votës së lirë. Shqiptarëve duhet tu kthehet besimi tek një proces i drejtë dhe i lirë, se vota e tyre do të shkojë atje ku ata duan dhe do të numërohet drejtë. Mbi 20 parti parlamentare dhe jo parlamentare kanë nënshkruar sot një memorandum”.
Paloka më pas renditi pesë kushte, të nënshkruara nga parti parlamentare dhe jo-parlamentare dhe që sipas tij garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Së pari, opozita kërkon realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave përmes një sistemi në shkallë vendi.
Së dyti, demokratët kërkojnë dekriminalizimin përmes zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga fushata zgjedhore dhe qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve.
Së treti, kërkohet ulja e kostos së fushatës përmes reduktimit drastik të shpenzimeve, transparencë për burimet financiare si dhe të forcohen penalitetet përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë.
Së katërti, të ndalohet përdorimi i burimeve njerëzore të administratës në fushatë dhe struktura partiake, po ashtu edhe materialet e administratës.
Së pesti, akses i drejtë në media dhe mbulim mediatik dhe normim i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore.
Por kushtet për zgjedhjet, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i cilësoi tejet të vonuara. Ai pyeti PD: Ku keni qenë keto tre vite e gjysëm?
“Do ishte mirë që në hapje të këtij sesioni të bënim një bilanc për sesionin e kaluar dhe të përcaktonin piketat për këtë sesion. Kjo nuk u bë. Është shumë e drejtë që ju u kujtuat për një problem që duhet të ishit kujtuar 4 vjet më parë. Ku keni qenë këto 3 vite gjysëm për këtë çështje kaq madhore sa çe quani ju.
U kujtuat vetëm tashmë që nisim sesionin e fundit, që nuk është më i gjatë se katër muaj.E dini shumë mirë që ndryshimet thelbësore në kodin elektoral duhen bërë 6 muaj para zgjedhjeve. Nuk keni pasur vullnet për ndryshime, e kërkoni si alibi sot. Këtë kod e keni bërë ju dhe me dakordësinë tonë.
Nuk jeni dakord me veten ju, nëse jo pse? Ky kod është verifikuar në zgjedhje, ata që na kanë parë këto zgjedhje, që i kanë monitoruar kanë arritur në disa përfundime, nuk kanë hedhur poshtë kodin dhe as sistemin, siç është depolitizimi i komisioneve, financimi i partive, blerja e votës, transparenca e reklamave të partive politike në media të ndryshme. Të gjitha këto ua kemi propozuar”, – tha kreu i grupit parlamentar socialist.
16 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)