Në orën 19 janë mbyllur vendvotimet në të cilat qytetarët mundën të votojnë në zgjedhjet e sotme të gjashta lokale në Republikën e Maqedonisë. Përgjithësisht, procesi i votimit ka kaluar mirë, votimi ka filluar në kohën e duhur, në përjashtim të disa vendvotimeve, ku ka pasur vonesa për shkaqe teknike. Asociacioni Most, e cila ka pasur numrin më të madh të vëzhguesve në zgjedhjet e sotme, ka denoncuar disa parregullsi. Sipas vëzhguesve të kësaj organizate ka pasur përleshje fizike në një vendvotim në Tetovë, votim familjar dhe mosshfrytëzim të llambës ultravjollcë. Edhe Organizata Joqeveritare Civil ka vërejtur një sërë parregullsish gjatë votimit të sotëm. Sipas vëzhguesve të kësaj organizate është regjistruar transport masiv i votuesve në Manastir si dhe probleme me Listën Zgjedhore. Nga Civil kanë theksuar se dhjetëra qytetarë nga Kërçova nuk e kanë gjetur veten në Listën Zgjedhore, ndërsa në Likovë ka pasur votim grupor, raporton Almakos.
Qytetarët zgjodhën kryetarë dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. U votua në 3.480 vendvotime, ndërsa të drejtë vote patën 1.814.644 zgjedhës të cilët kanë mundur të prononcohen për 260 kandidatë për kryetarë dhe 6.627 kandidatë në 372 fletëvotime për anëtarë në këshilla.
Sipas të dhënave të fundit që i shpalli KSHZ, jehona deri në orën 17 ishte 49,14 për qind.
MPB informoi se në ditën e zgjedhjeve nuk janë regjistruar shkelje më të mëdha në rendin dhe paqen publike.
Sipas, analistëve dhe njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se procesi zgjedhor ka qenë i qetë në pikë votimet shqiptare. Rreth problemit për mos dalje në votime nga një përqindje e vogël e qytetarëve, ata vlerësojnë si shkak politikanët të cilët nuk kanë arritur të jenë bindës me projektet dhe planet e tyre konkrete.
Sipas politologut, Ariton Rama, zgjedhjet janë padyshim manifest i demokracisë, sot secili nga ne si votues jemi kontribues të konsolidimit të mekanizmave institucionale.
‘‘Procesi zgjedhor është sinkron fushatës, dita ka qenë e qetë. Më vjen mirë për krijimin e vetëdijes dhe civilizimit elektoral ku qytetari po shndërrohet jo instrument po faktor votues, dhe të gjithë janë më shumë kërkues’’, deklaroi Rama për Almakos.
Uroj që edhe më tutje edhe pas zgjedhje të pasqyrohet mirëkuptimi mes taborëve partiake ku vota konsiderohet një akt normal demokratik dhe jo shkas i urrejtjes dhe përçarjes , përfundoi Rama.
Arianit Xhaferi, kryetar i shoqatës Eco Guerilla tha se si qytetar i Maqedonisë bashkë me familjen, ka shfrytëzuar të drejtën, dhe njëherit ka kryer obligimin qytetar për të votuar.
‘’Interesimi i qytetarëve të Tetovës për të votuar ka qenë shumë i ulët. Vërehet mungesë, pesimizëm dhe interesimi tek qytetarët që është me gjasë si rezultat i mosbesimit të tyre në mundësinë për të zgjedhur e për të sjellë ndryshimin. Dalja e ulët në zgjedhje është rezultat zgjedhor i cili do e thotë qartë se asnjëri kandidat nuk e ka legjitimitetin e qytetarëve të Tetovës’’, tha Xhaferi, për Almakos.
Xhenur Iseni, gazetar, thotë se është për tu përshëndetur fakti se zgjedhjet kanë kaluar pa ndonjë incident të madh që do ta kishte dëmtuar procesin zgjedhorë.
‘’Shqetësuese është se në vendbanimet shqiptare dalja e votuesve është shumë më e ulët se në ato vendbanime maqedonase. Në momentin e votimit, së paku për pak minuta, të gjithë jemi sovranë dhe këtë të drejtë askush nuk duhej ta lëshonte. Kjo situat demostron faktin se partitë gjatë fushatës nuk kanë qenë binës, më troc nuk kanë arritur ta fitojnë besimin, kjo vjen nga fakti që gjatë fushatës kishim premtime stratosferike, që për votuesin ishin fantazi shkencore’’, pohoi Iseni për Almakos.
Rezultatet e zgjedhjeve pritet të dalin pas orës 21-00, ndiqeni Almakos.com që të merrni informatat e fundit.
Ndryshe, raundi i dytë i votimit në afat prej 14 ditëve nga dita e përfundimit të raundit të parë të votimit. Raundi i dytë do të mbahet në komunat ku asnjë kandidat për kryetar nuk e ka fituar shumicën e nevojshme, ndërsa votohet për dy kandidatë të cilët në raundin e parë kanë fituar më shumë vota.
Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni pas pavarësisë. Të parat u mbajtën në vitin 1996, pastaj në vitin 2000, në vitin 2005, në vitin 2009 dhe të fundit në vitin 2013.
Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni i ndoqën 5.011 vëzhgues të huaj dhe vendor.
Mevludin Imeri
Almakos.com

