Shkruan: Hamzi Ibraimi
Nata e 15 Korrikut të vitit 2016 është një datë që do të kujtohet përjetë në historinë e Turqisë si momenti kur u tentua të zhbëhej demokracia me forcë ushtarake. Një grup i infiltruar brenda strukturave të ushtrisë, nën urdhra të organizatës terroriste FETO, u përpoq të përmbyste rendin kushtetues, të pushtonte institucionet dhe të rrëzonte qeverinë e zgjedhur nga populli.
Ishte një natë frike, por edhe një natë zgjimi kombëtar.
Në ato orë të errëta, kur tanket dolën në rrugë, avionët bombarduan parlamentin dhe u përpoqën të vrisnin presidentin, ndërsa kombi turk u përball me një nga sfidat më të rënda që nga themelimi i republikës. Por fati i vendit nuk u vendos nga armët e tradhtarëve ai u vulos nga guximi i popullit.
Thirrja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, e bërë drejtpërdrejt përmes një kanali televiziv, ishte zëri që e zgjoi ndërgjegjen kombëtare.
“Dilni në rrugë, dilni në sheshe dhe mbroni demokracinë tuaj.” ishte apeli i tij.
Dhe njerëzit iu përgjigjën menjëherë. Nga Stambolli në Ankara, nga qytetet në fshatra, populli vërshoi në rrugë pa hezitim.
Ata nuk kishin armë kishin vetëm flamurin dhe besimin se e drejta do të triumfonte. Ata ndaluan tanket me trupar e tyre, u përballën me plumba me gjoks të hapur dhe nuk u tërhoqën as kur jeta e tyre ishte në rrezik. Ishin të rinj e të moshuar, burra e gra, punëtorë, mësues, ushtarë të ndershëm, imamë dhe qytetarë të zakonshëm që u kthyen në heronj.
Në atë natë të përgjakshme ranë 251 dëshmorë, por me gjakun e tyre u shpëtua Republika e Turqisë. Mijëra të plagosur dëshmojnë se liria nuk dhurohet ajo fitohet me qëndresë.
15 Korriku nuk është thjesht një datë kalendarike është simboli i një populli që nuk pranon t’i nënshtrohet diktaturës.
Është dëshmi se kur udhëheqja dhe populli bashkohen për një kauzë të drejtë, asgjë nuk mund t’i ndalë.
Kjo ngjarje i tregoi botës se demokracia turke nuk është e brishtë. Ajo u përforcua me gjak, besim dhe sakrificë. Sot, çdo 15 Korrik, përkujtohet jo vetëm dhimbja e atij sulmi të pabesë, por edhe krenaria për një komb që nuk u gjunjëzua.
Në fund, ishte populli ai që iu përgjigj thirrjes së liderit të tij dhe me këtë vendim, historia mori një drejtim tjetër. Demokracia fitoi. Kombi fitoi. Vullneti i qytetarëve triumfoi ndërsa tradhëtarët populli i ndëshkoi.