Të nderuar qytetarë, sot jemi këtu që t’ju flasim në lidhje me Bit-Pazarin. Janë bërë disa vite qëkur autoritet komunale te Çairit na e kanë çarë kokën se do ta implementojnë një plan për ndërtimin e tregut të Bit-Pazarit dhe kjo kurrë nuk ka ndodhur.
Megjithatë, sot nuk jemi për t’ua kujtuar juve se kush janë ata, sepse këtë ju e dini më mirë se ne, por jemi këtu për t’i përcjellë tri mesazhe:
– I drejtohemi kryetarit në ikje të Komunës së Çairit, që tashmë është shpërngulur nga Çairi, së paku të mos e marrë edhe një vendim të dëmshëm: të mos e nënshkruajë lejen për ndërtimin e Bit-Pazarit, sepse ne jemi të informuar nga tregtarët e këtij tregu se plani për Bit-Pazarin tashmë ka pësuar ndryshime në interes të personave të caktuar të mafisë urbane në Çair! Prandaj, ju lutem mos e nënshkruani lejen, sepse këtë punë do ta zgjidhim ne në favor të tregtarëve këtij tregu!
– I bëjmë thirrje drejtorisë së ndërmarrjes “Skopski Pazar”, që mos të tallet me tregtarët e Bit-Pazarit, sepse aty sigurojnë ekzistencën më shumë se 2.000 familje dhe askujt nuk i lejohet që për hesape të veta biznesore ta rrisë nivelin e papunësisë dhe t’i lë njerëzit në rrugë!
– U premtojmë tregtarëve të Bit-Pazarit se asnjë plan nuk do të implementohet në Bit-Pazar pa miratimin dhe pëlqimin e tregtarëve të këtij tregu. Nuk i lejohet askujt që të marrë asnjë vendim që do ta dëmtojë edhe një biznes të vetëm në Bit-Pazar.