Meqë në TV Alsat-M në debatin me kandidatin e koalicionit LSDM-BDI për Komunën e Çairit, Visar Ganiu, na mbeti i papërfunduar diskutimi se sa është borxhi saktë i Komunës së Çairit, ndërsa unë i premtova se do t’ia siguroj të dhënat edhe nga Ministria e Financave, që të mos i mbetem edhe unë borxh atij, siç janë borxhet e mëdha të Komunës, këtu po i prezantoj të dhënat nga ueb-faqja e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë.
Në fakt, në raportin që është bërë në maj të këtij viti del se Komuna e Çairit i ka borxh 143 milionë denarë ose pak më shumë se 2.3 milionë euro. Këtu më poshtë po jua sjell edhe vegëzat ku mund t’i shihni këto informacione, ndërsa do ta lusja kandidatin e koalicionit LSDM-BDI që mos t’u besojë shumë autoriteteve të Komunës së Çairit, që i kanë thënë se Komuna nuk ka borxh, sepse ata nuk e kanë dert se e koritin kështu përpara opinionit.
Me këtë rast dëshirojmë të premtojmë para opinionit se me qeverisjen tonë në Komunën e Çairit të gjitha të dhënat për gjendjen financiare do të jenë transparente dhe secili do të ketë qasje në to. Ne jemi të bindur se duke e rritur transparencën do ta kthejmë edhe besimin e qytetarëve ndaj institucionit të Komunës, madje jo vetëm të qytetarëve, por edhe të investuesve, kreditorëve dhe donatorëve të tjerë.
Gjithashtu, dëshirojmë të premtojmë se brenda mandatit tonë ky borxh do të shlyhet dhe ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të dalim nga Komuna duke lënë borxhe marramendëse pas vetes.
https://youtu.be/yfEeEoxihts