Deputeti Fadil Zendeli tha se pjesëmarrja në Qeveri e koalicionit “Rilindje me BESË” nuk duhet të jetë me çdokush, pasi që kemi parë që deri tani partitë shqiptare janë futur pa asnjë kusht dhe kanë sjellë deri në këtë shkallë gjendjen e shqiptarëve.
“Ne si shqiptare ua kemi parë sherrin shqiptarëve që kanë hyrë në Qeveri pa kushte. Ne duhet të krijojmë program qeveritarë për të realizuar interesant e shqiptarëve. Me mandatarin e mundshëm do të bisedohet për një pjesëmarrje të mundshme. Përpos Platformës janë edhe programet tona”, tha Zendeli duke shtuar se ata do të analizojnë dhe do të sjellin vendim mbi atë se a do të marrin pjesë në Qeverinë e ardhshme apo do të ngelin në opozitë.
Duke folur për situatën aktuale, Zendeli tha se nuk duhet të harrohet se VMRO ende është në pushtet me BDI-në, edhe pse kjo e fundit po luan rolin e opozitës. Ai tha se këto dy subjekte bartin përgjegjësi për aktualitetin në të cilën jemi.
“Nuk është moment për ta nënçmuar aspektin e sigurisë por kjo nuk nënkupton se duhet të ndalen përpjekjet për formimin e Qeverisë së ardhshme. E vetmja mënyra për ta tejkaluar këtë situatë është të ketë institucione stabile të cilët do të ballafaqohen me problemet. Status quo mund të jetë zgjidhje e momentin por, nuk është zgjidhje për ditën e nesërme. Kemi status quo, ndoshta edhe këto dy subjekte VMRO dhe BDI ndonjëherë nuk janë të interesuar që situata të ndryshon dhe të krijohen rrethana për krijimin e Qeverisë së re”, ka thënë Zendeli, duke shtuar se në këtë rast partitë politike tjera duhet të angazhohen maksimalisht që sa më shpejt të krijohen institucionet dhe u ofrohet qytetarëve rahati dhe perspektive. /SHENJA/

