Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka folur gjatë vizitës së tij në Bucha, një qytet në të cilin forcat ruse akuzohen se kanë masakruar civilë.
Përkundër vuajtjeve njerëzore atje, ai i ka thënë gazetarëve se banorët në Bucha po tregojnë njerëzi duke u përkujdesur që kafshët e pastrehë të ushqehen, raporton BBC.
“Kjo është karakteristikë e njerëzve tanë, të trajtosh kafshët në mënyrën siç do të trajtoje njerëzit. Por mund të shihni përreth se çfarë i është bërë këtij qyteti modern. Kjo është karakteristikë e ushtarëve rusë – të trajtosh njerëzit më keq sesa kafshët. Është gjenocid i vërtetë, ajo që keni parë sot”, ka thënë Zelensky.
Ai ka fajësuar Rusinë për zvarritje të bisedimeve për paqe në Turqi, duke thënë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë situatën në terren.
Moska e ka mohuar se i ka shënjestruar civilët gjatë pushtimit.