Pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se, autostrada, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, që është pjesë e Korridorit 8, me shumë gjasë nuk do të realizohet dhe për të rregulluar këtë problem po kërkohet zgjidhje, ka reaguar zv/ministrja e Transportit dhe Lidhjes, Kaltrina Zekolli, e cila ka deklaruar se punimet në kuadër të Korridorit 8 janë duke u zhvilluar dhe progresi është i dukshëm në të gjitha segmentet ku janë përmbushur kushtet ligjore dhe teknike. Sipas saj për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, është e rëndësishme të sqarohet se gjatë fazës së projektimit fillestar nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, ndërsa në takimin e fundit të zhvilluar para disa javësh mes ministrit Nikolloski dhe përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual, për të cilin thotë se është i trashëguar.
Ja dhe reagimi i plotë i saj:
Si Zëvendësministre e Transportit, ndjej për obligim të informoj opinionin publik lidhur me zhvillimet më të fundit për Korridorin 8, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin tonë dhe për rajonin.
Punimet në kuadër të Korridorit 8 janë duke u zhvilluar dhe progresi është i dukshëm në të gjitha segmentet ku janë përmbushur kushtet ligjore dhe teknike. Megjithatë, për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, është e rëndësishme të sqarohet se gjatë fazës së projektimit fillestar nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, përkundër ndjeshmërisë së zonës.
Në këtë drejtim, në takimin e fundit të zhvilluar para disa javësh ndërmjet Ministrit Nikoloski dhe përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual, të cilin ne e kemi trashëguar. Për ne është thelbësore që të mos rrezikohet në asnjë moment statusi që gëzon vendi ynë në raport me këtë organizatë. Njëkohësisht, duhet theksuar se shumica e projekteve në Ministrinë e Transportit kanë mbetur të palëvizura për dekada. Gjatë gati dy viteve të qeverisjes sonë, kemi arritur t’i vëmë në lëvizje shumë prej tyre dhe të sigurojmë progres të dukshëm. Me të njëjtin përkushtim do të vazhdojmë edhe në vijim.
Dua të theksoj qartë se lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet. Aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm, në koordinim me UNESCO-n, në mënyrë që ky projekt të mos pengohet dhe të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu, Ministria e Transportit është drejt përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë, çka dëshmon qartë përkushtimin tonë për një lidhje të plotë dhe funksionale të kësaj autostrade.
Lidhja infrastrukturore me Republikën e Shqipërisë është prioritet strategjik dhe do të realizohet me patjetër, pavarësisht zgjidhjes përfundimtare teknike që do të përzgjidhet për këtë segment.


