Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri në një deklaratë për 1 TV ka thënë se gjuha e urrejtjes së Reis Ulemasë Sulejman Rexhepi nuk guxon që të tolerohet, shkruan Almakos.
“Unë kam reaguar disa herë në lidhje me fjalimin e tij. Ai njeri nuk e meriton që të jetë në krye të atij institucioni. Ai njeri, të kishim Prokurori Themelore Publike funksionale ashtu si duhet të jetë, duhej që të përfundonte në burg. Nuk mundet që të tolerohet një gjuhë e tillë që ai e përdorë. Bashkësitë fetare janë më të thirrura për të shpërndarë tolerancë dhe mirëkuptim e jo të janë ata që do të nxisin urrejtje dhe të ofendojnë një popull ose të dëshiroje vdekjen e dikujt.”, deklaroi Muhamed Zekiri.
Zekiri vlerëson se Sulejman Rexhepi nëse i injoron thirrjet e Prokurorisë duhet që të kërkohet asistencë nga policia për t`u çuar para dyerve të Prokurorisë për të dhënë deklaratë.
“Ajo që unë pres është që institucionet të fillojnë të veprojnë. Sidomos gjyqet. Ai tre herë radhas refuzon që të merr pjesë në thirrjen e prokurorit publik për të dhënë deklaratë në lidhje me këtë. Dhe kjo po tolerohet. Për këtë arsye institucionet duhet të fillojnë të veprojnë. Nëse njeriu nuk vjen njëherë, dy herë, nuk mundet gjithmonë t`i ikë thirrjeve të prokurorisë. Ka polici, do të kërkohet asistencë që të shkohet të sillet njeriu për të dhënë deklaratë. Pa marr parasysh kush është, duhet që të jep përgjegjësi, askush nuk guxon që të jetë mbi ligjin.”, deklaroi Muhamed Zekiri./Almakos/


