Nafta nga rezervat strategjike të International Energy Agency (IEA) pritet të dalë shumë shpejt në tregjet globale, pasi vendet anëtare të agjencisë vendosën të çlirojnë një total prej 411.9 milionë fuçish – një sasi rekord – nga rezervat e tyre emergjente.
Sipas IEA, qeveritë e vendeve anëtare janë zotuar të nxjerrin në treg 271.7 milionë fuçi nga rezervat shtetërore, 116.6 milionë fuçi nga rezervat e detyrueshme të industrisë, si dhe 23.6 milionë fuçi nga burime të tjera.
Agjencia bëri të ditur gjithashtu se 72% e sasisë së planifikuar për t’u hedhur në treg përbëhet nga naftë bruto, ndërsa 28% janë produkte të rafinuara të naftës.
Furnizimet nga vendet e Azisë dhe Oqeanisë do të jenë të disponueshme menjëherë në treg, ndërsa rezervat nga Evropa dhe Amerika pritet të mbërrijnë në treg në fund të muajit mars.
Vendimi u mor javën e kaluar nga 32 vendet anëtare të IEA, përfshirë edhe SHBA, me qëllim zbutjen e ndikimit ekonomik të luftës në Lindjen e Mesme.


