Sipas portali “Capology”, i cili merret me financat në futboll, është llogaritur se sa ka fituar kroati Luka Modriç deri më tani në karrierën e tij futbollistike.
Sipas këtij portali, përfitimet e përgjithshme të Modriçit në karrierë deri më tani kanë qenë mbi 136 milionë euro, ndërsa këtë vit do të kalojnë shifrën prej 140 milionë eurosh. Po ashtu, thuhet se mesfushori kreativ përfiton 420. 769 euro në javë nga Reali që kap shifrën vjetore prej 21.88 milionë eurosh.
Luka Modriç është pjesë e Real Madridit që nga viti 2012, ndërsa me klubin mbretëror ka fituar gjithçka që mund të fitohet. 37-vjeçari ka pesë tituj të Ligës së Kampionëve, pesë Kupa të Botës për Klube, tre tituj të kampionit të Spanjës, trofe të shumtë të Superkupave e Kupave.
Mjeshtri i mesfushës ishte kapiten i Kroacisë kur e udhëhoqi drejt finales së Kampionatit Botëror në vitin 2018, derisa katër vite më vonë (në ‘Katar 2022’) zunë vendin e tretë.
Ishte futbollisti më i mirë i Botërorit në Rusi dhe në vitin 2018 e fitoi “Topin e Artë” që i ndahet lojtarit më të mirë në botë. Modriç ka kontratë me Realin deri në 30 qershor të këtij viti.