Një bazë kriminale është zbuluar nga Policia e Fierit, pas një hetimi të nisur mbi bazën e një denoncimi të ardhur nga një emision investigativ.
Gazetarët kanë informuar strukturat policore për një shtetas që posedonte armë zjarri pa leje dhe tashmë policia pas hetimeve, ka vënë në pranga shtetasin me iniciale M. R., 38 vjeç, teksa lëvizte me automjet.
Gjatë kontrollit në mjetin e tij, u gjet një armë zjarri pistoletë, e mbajtur pa leje, si dhe një shumë prej 3,500 eurosh, që dyshohet të jetë përfituar nga veprimtari të paligjshme.
Hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e një banese të pabanuar, në të njëjtën lagje, e cila dyshohet se përdorej nga 38-vjeçari si bazë për magazinimin dhe shpërndarjen e armëve dhe municioneve, për llogari të grupeve kriminale.
Nga kontrolli i ushtruar në këtë ambient, u sekuestruan:
10 armë zjarri automatikë, 3 prej të cilëve të modifikuar me shënjestër optike dhe me filetim për silenciator;
1 pistoletë dhe 1 pistoletë automatike;
2 silenciatorë;
9 karikatorë automatikësh;
3 karikatorë pushke;
2 krehra pistolete;
Sasi të konsiderueshme fishekësh, të kalibrave të ndryshëm.
Njoftimi i policisë
Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier janë informuar nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”, se 1 shtetas me të cilin ata kishin komunikuar në kuadër të punës së tyre, posedonte pa leje, 1 armë zjarri.
Menjëherë pas informacionit, strukturat hetimore dhe operacionale të Policisë së Fierit kanë organizuar punën për të zbardhur autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i kësaj pune, u lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht M. R., 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale.
Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;
-1 armë zjarri pistoletë;
-1 armë zjarri pistoletë automatike;
-2 silenciatorë;
-9 karikatorë automatiku;
-3 karikator pushke;
-2 krehra pistolete;
-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.