Akoma nuk ka konfirmim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dhe nga ajo greke, nëse Greqia në pajtueshmëri me marrëveshjen e nënshkruar për emrin, ka dërguar njoftim deri në NATO se janë mënjanuar të gjitha pengesat që vendi të mund të marrë ftesë.
“Pas marrjes së një njoftimi se Kuvendi i palës së dytë e ka ratifikuar këtë Marrëveshje, pala e parë menjëherë:
*do ta njoftojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s se jep përkrahje që NATO-ja, palës së dytë t’i dërgojë ftesë për anëtarësim, shkruan në marrëveshjen që u nënshkrua në Psarades.
Në një intervistë për Al Xhezira, kryeministri Zoran Zaev, i pyetur nëse është e mundshme të ketë reterim nga pala greke me letrën që duhet t’i dërgohet Jens Stoltenbergut, duke pasur parasysh rezistencën e fortë të opozitës së atjeshme, u përgjigj se nuk pret asnjë pengesë.
“Jam i bindur se ajo që është definuar me Marrëveshjen dhe ajo që e respekton pala greke dhe qytetarët, është që me ratifikimin e Marrëveshjes të dërgohet një letër, sepse kështu ishte precizuar. Kemi parasysh se Presidenti Ivanov, mund të bëjë opstrukcione të caktuara në këtë drejtim. Por, nënshkrimi dhe publikimi është çështje që mund të zgjidhet. Do të gjendet një zgjidhje”, tha Zaev.
Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes dje kaloi në Kuvend, pas çka u dërgua tek shefi i shtetit, Gjorge Ivanov, i cili brenda 7 ditësh duhet të vendosë nëse do ta firmosë apo jo. Partia opozitare VMRO-DPMNE, nuk mori pjesë në seancën plenare. Përfaqësuesit e kësaj partie, edhe sot akuzuan se kjo marrëveshje është në dëm të shtetit.
“Kjo e ashtuquajtur marrëveshje, është akt i pastrimit të gjithë kombit. Kjo është diçka më e tmerrshme se gjenocid. Kjo paraqet gjenocid mbi një komb të tërë – kjo është etnocid. Kjo është një marrëveshje e turpshme. Kjo marrëveshje është mashtrim nga Zoran Zaevi. Populli është i zhgënjyer dhe i mashtruar”, tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.
Ministria e Jashtme e Maqedonisë, dje konfirmoi se ka dërgua notë deri te ministria greke dhe se kanë njoftuar për ratifikimin e marrëveshjen në Kuvend. Samiti i NATO-s është caktuar për më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, kurse ftesa për vendin është vënë në rendin e ditës.
Përgatiti: Mihajlo Vidimliski