Gjendja katastrofale nëpër burgjet në vend ka bërë që kryeministri Zaev të shprehet i turpëruar që është kryeministër i një shteti me burg të tillë. Këtë qëndrim ai e shprehu sot ( e hënë) pas vizitës së bërë në burgun e Idrizovës, ku e shoqëronin Avokati i Popullit, Ixhet Memeti dhe drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut të RM-së, Urania Pirovska, shkruan Almakos.
Sipas Zaev e vërteta është se në burgun e Idrizovës nuk ofrohen as kushtet minimale për vuajtjen e dënimit.
“Më vjen turp që jam kryeministër i një shteti me burg të tillë. Në Idrizovë ka 1.800 të burgosur ndërsa kapaciteti i burgut është për 800 njerëz”- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Sipas kryeministrit Zaev, duke qenë se numri i të burgosurve është shumë më i lartë se sa kapaciteti që ofrohet, lind edhe një tjetër problem, siç është ushqimi jo i mjaftueshëm për të gjithë dhe jo cilësor,andaj edhe të afërmit e të dënuarve janë të detyruar t’u sjellin vakte prej në shtëpi.
Një nga zgjidhjet, sipas Zaevit, është ligji për amnisti, temë e cila, siç tha, është tashmë e hapur. Tashmë disa organizata joqeveritare kanë hapur debate, ndërsa Avokati i Popullit dhe Ministria e Drejtësisë kanë opinionet e tyre. Zaevi shprehu bindje se Qeveria dhe Parlamenti janë të gatshëm për zgjidhje të shpejtë të gjendjes johumane në burgjet.
“Pres që të hapet debati, para se gjithash i institucioneve që janë kompetent dhe shumë shpesh të ftuar nga Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit, si dhe nga shumë organizata civile dhe aktivistë. Shumë shpesh bashkëqytetarët tanë, të cilët vuajnë dënim me burg dinë të dërgojnë apel dhe mesazh përmes mediave sociale duke dërguar fotografi nga kushtet e tyre dhe pikërisht për këtë shkak sot jemi këtu”, sqaroi Zaev.
Megjithatë nga Komiteti i Hlesinkit nuk ndajnë të njëjtin mendim me kryeministrin sa i përket Ligjit për amnisti.
“Ligji për amnisti nuk do ta zgjidh problemin me burgje. Do të zgjidhni problemin e mbipopullimit, por nuk do ta zgjidhni problemin me korrupsionin. Njëherë e përgjithmonë duhet zgjidhet problemi me korrupsionin, posaçërisht në burgun e Idrizovës. Pas këtyre dyerve keni shoqëri të mbyllur. Këtu nuk vlejnë ligjet e Maqedonisë, por ligje të burgjeve “– tha Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit.
Pak kohë më parë Avokati I Popullit alarmoi për gjendjen në të cilën ndodhen burgjet në vend. Rezultatet që prezantoi, të ilustruara edhe me foto nga 50 vizita të bëra nga ekipi i Avokatit të Popullit nëpër organet dhe institucionet ku liria është e kufizuar si : 4 Institucione ndëshkuese korrektuese, 8 stacione policore, 1 institucion publik për mbrojtje sociale dhe 37 vende për vendosjen dhe ndalimin e refugjatëve/emigrantëve, ishin shokuese.
Sa i përket repartit pranues në burgun e Idrizovës, Memeti, gjatë prezantimit të raportit , tha se të dënuarit, me ligj duhet të qëndrojnë aty jo më shumë se 30 ditë, por megjithatë ata qëndrojnë shumë më tepër nëse nuk paguajnë për të kaluar tjetërkund. Gjatë vizitës se ekipit hetues në një hapësirë me tre dhoma, një korridor dhe një banjë, janë gjetur 80 persona.
Prezantimin e tij raporti Avokati I Popullit e përmbylli me këtë kërkesë:
“ Për shkak të kushteve të këqija dhe degraduese kërkoj urgjentisht mbylljen e Repartit të pranimit në “ Idrizovë” dhe transferimin e personave në hapësira përkatëse”
Përveç burgut të Idrizovës, në gjendje të mjerueshme edhe qendra në Demir Kapi, në stacionin në Kriva Pallankë, Çair, dhe Berovë. /Almakos.com
Evi Shkopi
Almakos.com