07 March
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryetarja Radmilla Shekerinska, realizoi një takim me ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Suedisë dhe të Hollandës, Kristine D. Althauzer, Çarls Garet, Mats Stafanson dhe Vauter Plomp.
Nga LSDM njoftojnë se në takim është vlerësuar se është e domosdoshme proceset demokratike në Maqedoni të vazhdojnë me qëllim që të formohet Qeveria e re reformuese, sipas pritjeve të qytetarëve.
“Patëm zgjedhje kredibile, në të cilat shumica e qytetarëve e mbështetën konceptin e një shoqërie, zhvillimin e Republikës së Maqedonisë dhe jetën cilësore. Përkthyer në mandate deputetësh, janë 67 mandate me të cilat është siguruar shumica parlamentare dhe janë krijuar kushte për bisedime dhe formimin e Qeverisë së re”, ka theksuar Zaev.
Ai ka shtuar se është e domosdoshme Ivanov menjëherë ta japë mandatin për formimin e Qeverisë së re në R. e Maqedonisë, në interes të qytetarëve dhe shtetit.Sipas tij, zgjedhjet e reja do të thonë vetëm thellim i krizës.
Në njoftimin e LSDM-së theksohet se në takim janë shprehur pritje për pjekuri prej të gjitha palëve me qëllim që Maqedonia dhe qytetarët sa më parë të kenë Qeveri të re, në mënyrë të qetë, siç i ngjan një vendi i cili ka për qëllim të jetë pjesë e botës demokratike.