Kryeministri Zoran Zaev e ka bërë të qartë se riformatim të kabinetit qeveritar do të ketë në rast se ministri i ri i Shëndetësisë që e zëvendëson Arben Taravarin, nuk do të jetë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Ai njoftoi se ka marrë emër si propozim nga Aleanca për Shqiptarët për vendin e zbrazur ministror, por ka edhe emra tjerë që dëshirojnë t’i shqyrtojnë me qëllim që të merret vendimi më i mirë i mundshëm.
Zaev ka shpjeguar se aktualisht janë duke biseduar për disa emra me partnerët e tashëm të koalicionit qeveritar.
“Shpresojmë se deri në fund të kësaj jave do të mund të marrim vendim. Të gjitha opsionet janë të hapura, momentalisht as unë nuk e di se kush do të jetë emri, nga cila parti kush do të zgjidhet. Është shumë me rëndësi edhe vendimi personal, gjegjësisht për çfarë persona bëhet fjalë”, deklaroi Zaev.
Duke shtjelluar më tej mundësinë që ministri të mos jetë nga Aleanca për Shqiptarët, Zaev ka thënë se nëse vjen nga ndonjë parti tjetër politike është logjike se Aleanca mbetet në koalicionin qeveritar dhe duhet të marrë vend ministror. /SHENJA/

