
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sot ka paralajmëruar se pret që Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov të ja jep mandatin atij për të formuar Qeverinë.
“Nikolla Gruevski asnjëherë më nuk do të jetë kryeministër. U dëshmua se Gruevski nuk e ka shumicën e mjaftueshme. VMRO-DPMNE mbrëmë në mesnatë ka humbur mundësinë për të formuar Qeveri. Proceset demokratike kanë filluar, kështu kanë vendosur 612 mijë qytetarë në zgjedhje. Pres që Ivanov të më dorëzoj mandatin për formim të qeverisë, gjithë opsionet e ndryshme do të jenë shkelje të Kushtetutës dhe keqpërdorim të funksionit”, tha Zaev, duke shprehur se është i bindur se do të arrij të siguroj shumicë, dhe të formoj Qeverinë, raporton SHENJA.
Ai premtoi se kjo Qeveri, menjëherë do t’i qaset zbatimit të reformave që janë në marrëveshjen e Përzhinos dhe Raportit të Pribesë.
“Kjo Qeveri do të garantoj se gjithë qytetarët pa dallim përkatësisë etnike dhe politike do t’i kenë të drejtat e njejta. Kemi premtuar jetë për qytetar e Maqedonisë, dhe këtë e kemi obligim ta bëjmë, dëshirojmë dhe do ta bëjmë”, tha Zaev.