Kryeministri i Republikës së Maqedonisë dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, i shoqëruar nga bashkëpartiakët, Petre Shilegov dhe Muhamet Zeqiri, vizitoi komunën e Çairit, për t’u takuar me kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, për kryetar të komunës, Visar Ganiu dhe shefin e Shtabit Zgjedhor, Bujar Osmani.
“Kemi për qëllim që qyteti të zhvillohet barabartë, pasi qyteti është i njëjtë për të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e tij. Unë jam njeri i lumtur, që mund sot të kërkoj përkrahje nga ju, për njeri për të cilin jam i bindur se do të punojë trimërisht për interesin e të gjithë qytetarëve të Shkupit.
Unë e kam kënaqësinë ta përkrah me tërë fuqinë edhe si kryeministër, edhe si Qeveri, edhe si njeri”, tha Zaevi. Kryeministri ka konfirmuar jo vetëm mbështetjen për këtë kandidaturë, besimin e respektin për personalitetin e ish zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ganiu, por edhe është angazhuar se do të ndihmojë në realizimin e këtij projekti.
Premtimin e ka dhënë duke nënshkruar dokumentin – Kontratën 2017-2021.“Çairi është fotografi e Maqedonisë sonë multietnike. Si do të sillet Çairi, ashtu do të sillet edhe Maqedonia. Ju bëj thirrje me të gjitha llojllojshmëritë tona, këtu jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë, boshnjakë, vlleh, serbë…të gjitha bashkësitë etnike. Për mua është me rëndësi si politikan se çfarë porosi do të dalin këtu, në Çair. E unë nuk pres asgjë më pak përveç se porosi të unitetit dhe besimit ndaj perspektivës së përbashkët të mirë, barazisë për të gjithë qytetarët në Republikën tonë të përbashkët të Maqedonislë”, tha lideri i LSDM-së.