Këto zgjedhje ishin fund i nacionalizmit në vend, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke i vlerësuar zgjedhjet si të lira dhe demokratike.
Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare të ndryshojë politikat që ka udhëhequr në periudhën e kaluar, pasi që zgjedhjet ishin një konfirmim i kandidatëve të mirë dhe qytetarët i dhanë mbështetje debatit rreth asaj se në cilin drejtim do të lëviz shteti.
“Këto zgjedhje le të jenë fundi i gjithë nacionalizmit në vend. Qytetarët kishin zgjedhjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike për të thënë se në cilin drejtim vendi i tyre dëshiron të lëvizë. Ne kemi parë se nacionalizmi nuk ka kaluar as në Maqedoninë lindore, as në atë perëndimore. I bëj thirrje opozitës që të ndryshojë politikat e saj që e kanë udhëhequr atë në periudhën e kaluar”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë jodemokratike. Për shkak të rezultateve të dobëta në këtë proces zgjedhor do të ketë analiza partiake.
“Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale kaloi në një atmosferë jodemokratike dhe u krijuan kushte jokorrekte. Gjatë fushatës kishte qërim fizik hesapesh, kërcënime, presione nga institucione zyrtare, kishte kërcënim ndaj kandidatëve për kryetar nga partia jonë. Për të gjitha parregullsitë, VMRO do të parashtrojë ankesa deri tek organet kompetente. Pas përfundimit të zgjedhjeve do të pasojë analiza zgjedhore partiake, për të parë çfarë përveç parregullsive ishte shkak nga ana jonë që VMRO të dalë me këtë rezultat, dhe pse nuk morëm rezultate më të mira. Unë jam kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe gjithsesi se kam përgjegjësi më të madhe për rezultatin zgjedhor”,– tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Lideri i opozitës maqedonase, Nikolla Gruevski, hapat e ardhshëm të partisë i paralajmëroi pas përfundimit të zgjedhjeve.
Por, gjatë gjithë ditën nga selia e VMRO-së nuk kanë dalë me asnjë deklaratë.