Librat e historisë do të pastrohen nga gabimet që kanë nxitur reagime në shtetet fqinje, paralajmëroi kryeministri, Zoran Zaev. I provokuar nga mediat bullgare, Zaev tha se personalitete të ndryshme si Car Samoili, Shën Kirili e Metodi i takojnë historisë së përbashkët të popujve sllav në Ballkan.
Një nga çështjet e hapura në Maqedoni është edhe çështja e përdorimit të papërshtatshëm të fjalëve në libra dhe materiale tjera të caktuara, që janë materiale zyrtare shtetërore. Ekziston konsensus në Maqedoni për këtë çështje. Të gjitha botimet e reja do t’i kenë të menjanuara këto gabime, që lënë gjurmë në mënyrën më të butë thënë, mos-miqësisë, që nuk është në funksion të asaj për të cilën angazhohemi të gjithë- tha kryeministri Zoran Zaev.
aev u zotua se bashkë me homologun e tij bullgar, Bojko Borisov do ta vënë historinë në funksion të afrimit të dy popujve. Megjithatë për VMRO DPMNE-në, të gjitha këto veprime janë përpjekje për demaqedonizim të vendit. Partia opozitare kërkon rishqyrtim të Marrëveshjes për Fqinjësi mes Maqedonisë e Bullgarisë, e cila pritet të nënshkruhet më 2 gusht.
Këto tema që prekin identitetin e popullit maqedonas nuk guxojnë të bëhen interes ekskluziv as i Zoran Zaevit e as LSD-së. Këto tema nuk janë mbipartiake. Për ne është e kuptueshme që Republika e Bullgarisë të ketë interesat e saja dhe ato t’i mbrojë. Atë që nuk mund dhe nuk do ta pranojmë është që Zoran Zaev vetë të vendosë për tema në interes, kurse para qytetarëve premtonte inkluzivitet dhe debat për shumë çështje më pak përmbajtësore- deklaroi Trajko Veljanovski, VMRO DPMNE.
Një ditë më parë kryeministri Zaev dhe delegacioni nga Maqedonia takoi krerët e Bullgarisë. Temë e takimeve ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Anesa Aliti

