Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i udhëhequr nga Kryeministri Zoran Zaev, ka realizuar takim me përfaqësuesen e lartë të Këshillit Evropian, Frederika Mogerinin, shkruan SHENJA.
Zaev shoqërohej nga ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendësministri për eurointegrime, Bujar Osmani dhe nga ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Kryeministri Zaev tha se ky takim shfaq vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për përshpejtimin e proceseve eurointegruese.
“Në interes të qytetarëve të Maqedonisë është iniciativa për dinamikë të re në procesin eurointegrues. Qëllimi ynë është që deri në vjeshtë të sigurojmë progres të mjaftueshëm në sferat reformuese kyçe, me çka do t’i ofrojmë argumente të mjaftueshme Komisionit Evropian që të prezantojë raport të ri para vendeve anëtare, me rekomandim të ri për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, ka thënë Zaev.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e lartë për siguri dhe politikë të jashtme pranë BE-së, Frederika Mogerini, ofroi mbështetjen evropiane për përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë për reforma, duke theksuar se Unioni Evropian është i gatshëm që të shpërblejë Maqedoninë nëse vërtetë realizohen këto reforma. >