Riformatim dhe rizgjedhje në gjyqësor, nuk do të ketë testim ekstern dhe taksë radiodifuzive, ndërsa për qytetarët do të ketë energji të lirë elektrike. Këto do të jenë masat e para të Qeverisë së re e cila do të formohet në fillim të qershorit. Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, në të cilën ka shtuar se ata kanë dëshmuar se në Maqedoni nuk ka shtet juridik dhe se nevojiten reforma thelbësore në Gjyqësor.
“Një ndër gjërat e para që do të bëjmë është edhe rritja e rrogës minimale. Shumë vendime të tilla tani më janë të përgatitur, ndërsa besoj se në fund të majit, fillimit të qershorit do të miratohen dhe poashtu një vendim të cilin duhet ta sjellim në Kuvend është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për shkak anulimit të zgjedhjeve lokale, besoj në vjeshtë, por këtë planifikojmë ta bëjmë së bashku me të gjitha partitë”, ka deklaruar Zoran Zaev.
Zaev ka theksuar se pas të enjtes së përgjakshme duhet të ndodhë pajtimi politik, nacional, etnik dhe partiak.
“Ne kemi kundërshtarë politik, tjetër nuk kemi. Kjo nënkupton se çdokush do të shkoj në Gjykatë do të bartë përgjegjësi, por ndaj njëri tjetrit duhet të dërgojmë porosi për pajtim nëse dëshirojmë të bashkëpunojmë. Jam i vetëdijshëm se mandati im do të jetë i suksesshëm nëse nuk lejojë që të ketë arsye për bllokime dhe antagonizma të reja”, ka shtuar ai.
Sa i përket punës së Prokurorisë Speciale Publik, Zaev tha se kjo prokurori është formuar me konsensus mes të gjitha partive dhe shpreson se do të arrijë të përfundojë punën për të cilën është formuar.
Enis Murtezi /SHENJA/

