Dorëheqjet e funksionarëve të Aleancës për Shqiptarët, kryeministri Zoran Zaev i cilëson si të logjikshme. Ai thotë se ky hap ishte i pritshëm që kur kreu i kësaj partie, Zijadin Sela nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë për postin e zëvendëskryeministrit për Reforma.
Ai shtoi se nuk do të shpejtojë për shkarkimin e kuadrove nëpër institucione pavarësisht nëse janë nga Qeveria e kaluar apo edhe nga Aleanca për Shqiptarët, pasi siç tha ai, kuadrot kualitativ duhet të qëndrojnë dhe beson në kapacitetin e tyre.
Zaev theksoi se e respekton vendimin e Aleancës për Shqiptarët çfarëdo që të jetë ai, duke shtuar se dëshiron që të mbetet derë e hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi në të ardhmen.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Për mua është hap i logjikshëm sepse zotëri Ziadin Sela në takimin në kabinetin tim ishte decid se nuk pranon postin nënkryetar i Qeverisë për Reforma. Megjithatë lanë mundësi për bisedime në parti, diskutuan të dielën, njoftuan se do të qëndrojnë. Shpresova se do të qëndrojnë dhe do të mendojnë prapë për postin e nënkryetarit të Qeverisë. Sigurisht ajo është se kanë hequr dorë nga pranimi i ofertës nënkryetar i Qeverisë për Reforma. Në pajtueshmëri me këtë i hedh hapat drejt tërheqjes së njerëzve të vet. Unë e respektoj vendimin e tyre sido që të jetë, gjithsesi dua të mbetet derë e hapur, dritare e hapur, fillimisht për aty ku duhet të bashkëpunojmë“
I pyetur nëse VMRO-DPMNE kthimin në Kuvend e kushtëzon me lirimin e të paraburgosurve të 27 prillit, Zaev tha se ajo për të cilën ata nuk kanë arritur të pajtohen me liderin e VMRO-së, Hristijan Micovski ka të bëjë me gjëra të cilat janë jashtë kompetencave të tyre.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Dje u takova me kryetarin e ri të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, kishim bisedë konstruktive për çështje shumë të rëndësishme. Në pjesën më të madhe jemi pajtuar, por e vërtetë në një pjesë nuk u pajtuam. Një prej arsyeve se përse nuk u pajtuam është se mund të flasim vetëm për atë që është nën kompetenca të partive politike, ndërkaq unë jam edhe udhëheqës i Qeverisë. Ajo që nuk është kompetencë e jona ne nuk mund ta diskutojmë. Procedurat e gjyqësorit dhe prokurorisë publike janë jashtë kompetencave tona, këtu nuk mund të flasim”
Zaev pret që opozita të kthehet sa më shpejtë në Kuvend, që së bashku të punojnë për reformat të cilat, siç tha ai shtetin e çojnë kah Bashkimi Evropian dhe NATO. Nëse deputetët e opozitës nuk kthehen nesër në Kuvend, Zaev shpreson se ata do të paraqiten në seancën e përcaktuar pas festave, gjegjësisht më 9 janar.
https://youtu.be/M3cktHz_OA0