Pres që Ivanov të më dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë, të gjitha opsionet tjera do të ishin shkelje e Kushtetutës dhe keqpërdorim i funksionit. Ky ishte reagimi i parë i kreut të LSDM-së Zoran Zaev, pas dështimit të Gruevskit për të bërë Qeveri. Ai i bëri apel presidentit Ivanov që sa më parë t’ia japë mandatin, pasi sipas tij vetëm ky veprim është kushtetues, nga të gjitha opsionet e tjera që po qarkullojnë në opinion. Zaev u shpreh I bindur se do të arrijë të sigurojë shumicë dhe ta formojë Qeverinë.
“Nikolla Gruevski asnjëherë më nuk do të jetë kryeministër. U dëshmua se Gruevski nuk e ka shumicën e mjaftueshme. VMRO-DPMNE mbrëmë në mesnatë ka humbur zyrtarisht mundësinë për të formuar Qeveri. Proceset demokratike kanë filluar, kështu kanë vendosur 612 mijë qytetarë në zgjedhje. Pres që Ivanov të më dorëzoj mandatin për formim të qeverisë, gjithë opsionet e ndryshme do të jenë shkelje të Kushtetutës dhe keqpërdorim të funksionit”, ka thënë Zoran Zaev.
I pyetur për qëndrimin e tyre në lidhje me platformën shqiptare, ai edhe njëherë tha se pasi të marrë mandatin në duart e tyre menjëherë pas asaj do të dalin me qëndrim konkret lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, i mohoi zërat se ai mbrëmë ka realizuar ndonjë takim me përfaqësues të BDI-së. Zaev premtoi se kjo Qeveri, menjëherë do t’i qaset zbatimit të reformave që janë në marrëveshjen e Përzhinos dhe Raportit të Pribesë.
“Maqedonisë i duhet Qeveri e cila do t’i bashkojë të gjithë qytetarët në vend se t’i ndajë ata, I duhet qeveri stabile dhe e përgjegjshme, e cila do ta përmirësonte kualitetin e jetës për të gjithë qytetarët në shtet, dhe do të udhëheq politika reale. Qeveri e cila do t’i sigurojë Interesat strategjike të qytetarëve dhe Maqedonisë, e ajo është afrim kah integrimet euroatlantike. Ne jemi të përgatitur dhe tërësisht të përkushtuar, që të formojmë Qeveri, e cila do t’i zbatonte reformat e parapara në Marrëveshjen e Përzhinos si dhe reformat urgjente prioritare të konstatuara në raportin e të Pribesë dhe të Komisionit Europian.”, ka shtuar më tej Zaev.
Zaev shtoi më tej se kjo qeveri do të garantojë se gjithë qytetarët pa dallim përkatësisë etnike dhe politike do t’i kenë të drejtat e njëjta, duke shtuar se kjo parti ka premtuar jetë për qytetarët e Maqedonisë, dhe të njejtën janë të obliguar dhe dëshirojnë ta bëjnë.