Deri tek Prokuroria Speciale Publike ende nuk ka ardhur ndonjë kërkesë në lidhje me shqyrtimin e pastërtisë juridike të ministrave që pritet të përbëjnë kabinetin e ri Qeveritar.
Edhe pse ishte paralajmëruar një gjë e tillë nga ana e mandatarit Zoran Zaev, megjithatë një kërkesë e tillë ende nuk ka ardhur në adresë të PSP-së.
Këtë informacion për TV Shenja e konfirmoi zëdhënësja e PSP-së, Lençe Ristovska.
Për nesër është caktuar seancë e Kuvendit ku pritet të votohet përbërja e re qeveritare. Sipas kësaj, ministrat e ri do të votohen pa kaluar nëpër filtrin e PSP-së.
Kjo iniciativë vjen pasi në opinion filluan reagimet e para lidhur me emrat e propozuar për ministra, duke dyshuar se ndonjë prej tyre mund të jetë i përshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale. Dyshimi u paraqit nga fakti se në bisedat e publikuara nga opozita, dëgjohen disa ish funksionarë që tani paraqiten si ministra të ardhshëm. Por nuk dihet nëse ata janë nën hetime ose kanë shërbyer vetëm si dëshmitar.

