Pas kërkesës së deputetit të BDI-së për zyrtarizimin e martesave mes gjinisë së njëjtë, edhe kryeministri Zoran Zaev pajtohet që çështja e homoseksualëve duhet të rregullohet. Zaev tha se qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë dhe partisë që përfaqëson ai, respekton dallimet dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë, duke shtuar se mbeten në qëndrimin e njëjtë dhe se në mënyrë plotësuese janë të motivuar për gjetjen e zgjidhjes. Ai ftoi ekspertë që të prezantojnë eksperienca ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, më pas të hapin debat në opinion, dhe në fund të shkohet me procedurat tjera për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Duam ta dëgjojmë debat për të gjitha problemet dhe zgjidhjet e mundshme për të gjitha problemet. E dini se qëndrimi ynë edhe si Qeveri por edhe si parti politike është respektimi i dallimeve dhe ndërtim të një shoqërie të barabartë për të gjithë, mbetemi në ato qëndrime dhe në mënyrë plotësuese të motivuar për gjetje të zgjidhjes. Qeveria nuk është profesionale për këtë, i ftojmë personat ekspertë që të na prezantojnë eksperienca ndërkombëtare, që t’i hapin debatet në opinion, ta dëgjojmë opinionin tonë dhe në pajtueshmëri me të, të shkojmë me procedurat për gjetje të zgjidhjes për këtë çështje”
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, tha se LSDM akoma nuk i ka diskutuar këto tema në nivel të caktuar të trupave dhe organeve partiake, megjithatë potencoi se LSDM do ta shqyrtojë mundësinë dhe propozimin e Manojllovskit.
“Lidhja Social Demokrate, kujdeset për përparimin e të drejtave të njeriut, për ne njeriu është në qendër të vëmendjes, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, nacionale, fetare, apo përcaktimit të tij seksual. Ne akoma nuk i kemi diskutuar këto tema në nivel të caktuar të trupave dhe organeve partiake. Megjithatë, i respektojmë parimet të cilat i përmenda pak më parë. LSDM vendimet e veta lidhur me propozim ligjet, masat dhe vendimet për të mirën e qytetarëve i ndërton në mënyrë interne, nëpërmjet trupave dhe organeve partiake. Fillimisht do ta shohim atë mundësi dhe propozimin e Manojllovskit, dhe në pajtueshmëri me të, do ta informojmë opinionin”.
Në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, deputeti i BDI-së, Branko Manajllovski, me lot në sy, ngriti zërin për të drejtat e komunitetit homoseksual. Ai tha se atyre duhet t’u njihen të gjitha të drejtat, duke kërkuar kështu për herë të parë edhe zyrtarizimin e martesave mes gjinisë së njëjtë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

