Kryeministri Zoran Zaev sot porositi se çështja për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë do të zgjidhet së shpejti. Në pyetjen e gazetarëve kur do të realizohet biseda e pritur telefonike me kryeministrin grek Aleksis Cipras, Zaev u përgjigj se zilja e telefonit ndoshta do të bëhet nga ana e Maqedonisë, por koha e saktë ose data ende nuk dihet.
“Ndoshta ne do t’i bëjmë zile Athinës, dhe shpresoj se ajo do të ndodh shumë shpejtë. Unë nuk do të kisha dhënë komente të reja përveç kumtesës së përbashkët e cila u lëshua nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo tregon se me të vërtetë jemi shumë afër, por është shumë e rëndësishme që kjo të jetë e qëndrueshme dhe afatgjate dhe të jetë njëqind përqind e sigurt për gjeneratat që vijnë dhe do ta ndërtojnë këtë miqësi me marrëveshjen të cilën do ta arrijmë. Siç mund ta shihni unë mbetem optimist edhe pse nuk është lehtë, është e ndjeshme, por shumë e rëndësishme”, tha Zaev në Komunën e Zhelinës, ku ishte pjesëmarrës me rastin e investimit për ndërtimin e fabrikës për riciklim të gomave.
Zaev shtoi se ai dëshiron që biseda telefonike të ndodh që nesër, por ka kohë deri në Samitin e Këshillit Evropian më 28 dhe 29 korrik, ndërsa paraprakisht është Samiti i ministrave më 25 dhe 26 qershor, dhe siç tha, ato janë përafërsisht afatet dhe për shkak të këtyre afateve pritet sa më shpejtë zgjidhja e çështjes të kryhet.
“Ne me të vërtetë presim sa më parë atë ta bëjmë që të kuptojnë edhe parlamentet e Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe Holandës dhe të gjitha vendeve të tjera të rëndësishme, të cilat vetëm do të inkurajojnë vendimin pozitiv e të shumëpritur për Maqedoninë, sepse nga viti 2005 jemi vend kandidat me shtatë rekomandime të pastra dhe më në fund të fitojmë datë për bisedime”, tha Zaev.
Kryeministri u shpreh i bindur se nëse arrihet marrëveshje për emrin, gjithashtu edhe në Samitin e NATO i cili do të mbahet më 11 dhe 12 korrik, do të dorëzohet ftesa e shumëpritur për anëtarësim të plotë në Aleancë dhe do të fillojë ratifikimi në parlamentet e vendeve anëtare.
“Ky është inkurajim shumë serioz për mua personalisht, ndërsa besoj edhe për qytetarët tanë”, porositi kryeministri Zaev nga Zhelina e Tetovës, në investimin për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e gomave./koha.mk/