Numri i identifikimit të punëtorëve nga Serbia tashmë është testuar dhe gjithçka është gati, duket se po presim vetëm një “amin zyrtar”, tha një bashkëbisedues nga Oda Ekonomike e Serbisë. Ndërkaq, koordinatori i “Ballkanit të Hapur”, Marjan Zabrçanec, i tha Institutit për Studime të Komunikimit se “vetëm një shtypje e një butoni pret që kjo të aktivizohet si masë”, informon PRESSonline.al
Panairi i verës “Wine vision by Open Balkan”, i cili pas suksesit të vitit të kaluar në Beograd u bë brend i “Ballkanit të Hapur”, tashmë është planifikuar për këtë vit nga data 16 deri më 19 nëntor. Serbia njofton se përgatitjet për edicionin e dytë të ngjarjes janë duke u zhvilluar, megjithëse situata e sigurisë në rajon mund të kërcënojë këto plane.
“Për momentin, ende figuron se panairi do të mbahet në nëntor dhe ne po përgatitemi për këtë”, na tha një pronar i verës që mori pjesë në panair vitin e kaluar. Disa prodhues të verës në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre në panairin e këtij viti.
Në pyetjen se sa ekspozues të verës do të ketë këtë vit, nga Panairi i Beogradit, ku është planifikuar të mbahet edhe këtë vit manifestimi, u përgjigjën se nuk mund të na japin të dhëna të sakta për numrin e pjesëmarrësve të regjistruar, por se është e sigurt që këtë vit do të ketë ekspozues nga rreth 26 shtete (vitin e kaluar ishin 22), si dhe se janë paraqitur “një numër më i madh i prodhuesve të verës nga anëtarët e “Ballkanit të Hapur” krahasuar me vitin e kaluar”, informon PRESSonline.al
Edicioni i vitit të kaluar i “Wine vision by Open Balkan” arriti të mbledhë një numër të madh ekspozuesish, si dhe zyrtarët më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Për pjesën tjetër të përfitimeve të iniciativës, Zabrçanec shpjegon: “Korsi të gjelbra në kufijtë e Qafë Thanës dhe Tabanovcës për automjetet e transportit. Përfitim të madh nga kjo kanë kompanitë që importojnë dhe eksportojnë, veçanërisht në fushën e të ushqyerit, por edhe të gjithë punonjësit dhe të gjitha familjet e atyre punonjësve. Bëhet fjalë për një fluks të shpejtë të mjeteve transportuese në kufi. Ka një korsi të veçantë për kamionët në Ballkanin e Hapur. Ne i harmonizuam tarifat me mTAG-un e popullarizuar që ekziston në vendet e Ballkanit të Hapur. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë qenë të lidhura dhe do të vijojë edhe lidhja e Shqipërisë, sepse ende nuk ka pika të mjaftueshme pagese me mtAG. Ky është një përfitim për një qarkullim më të shpejtë të qytetarëve, që të mos ketë ndalesa në kabinat e pagesës, që rampat të ngrihen automatikisht. Kemi pasur iniciativa të shkëlqyera të përbashkëta dhe bashkëpunimi në temën e turizmit, të ashtuquajturat turne qarkore, nga të cilat ka përfituar veçanërisht turizmi maqedonas dhe kjo është ende në vazhdim. Kemi një rritje marramendëse në zhvillimin e turizmit dhe në fushën e kulturës tashmë ka bashkëpunime konkrete mes artistëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria”.