Në një emision debativ të TV ‘Dukagjinit’ të Prishtinës, ku është folur për situatën politike në Maqedoni, Xhevdet Pozhari ka thënë se këto zgjedhje vendore do dëshmojnë sa shqiptarët e atjeshëm do e mposhtin mendësinë vasale politike. Lidhur me këtë ai ka thënë:
“Për mendimin tim, për shqiptarët e Maqedonisë nuk është gjithaq me rëndësi se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet lokale, por se si ata do ta mposhtin mendësinë vasale politike të cilën BDI – ja e institucionalizoi duke i shërbyer herë VMRO – DPMNE’së e herë LSDM’së.
Shqiptarët e Maqedonisë, para se të votojnë, po ashtu duhet të shtrojnë pyetje se si partia të cilët ata dikur më së shumti i besuan – BDI’ja – të përfundojë herë si degë partiake e VMRO – DPMNE’së e herë e LSDM’së. Mendoj se duke iu përgjigur kësaj pyetjeje shqiptarët e Maqedonisë më qartë do të mund ta shohin potencën e tyre politike dhe ta kuptojnë se si ish kryeministri Nikolla Gruevski, njëjtë edhe kryeministri i tanishëm Zoran Zaev e kanë të njëjtin qëllim: ta asgjësojnë indin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe politikisht ta kolonizojnë shoqërinë e atjeshme shqiptare. Andaj, mendoj se edhe koalicionin “Aleanca me BESË” duhet parë nga këndvështrimi se fitorja e saj do të thotë mposhtje e mendësisë vasale politike dhe triumf i vetëbesimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë.”
Sipas Pozharit, “në Maqedoni në bllokun politik shqiptarë garojnë BDI e Zoran Zaevit, ajo që përfaqëson mendësinë politike të robit që i nënshtrohet sunduesit dhe Aleanca me BESË që ka për qëllim të dëshmojë se shqiptarët e Maqedonisë kanë potencial të prodhojnë e t’i jetësojnë politikat e tyre”.
“Duhet thënë se ajo që ndodhi në këto zgjedhje në Maqedoni është edhe ngapak perverse sepse Zoran Zaev i cili deri dje i quante kriminel drejtuesit e BDI – së, sot i mbështet haptazi kandidatët e kësaj partie. Pra duke qenë kryeministër, ai mban anën e një partie shqiptare dhe vetëm sa nuk u thotë shqiptarëve të Maqedonisë se pushteti është me ata që ai vetë ua rekomandon votuesve si e mira e tyre. Pra, Zoran Zaev vetëm sa nuk ua thotë shqiptarëve të Maqedonisë se ai e jo ata, e din se cilët janë heronjtë dhe vlerat shqiptare,” – ka thënë Pozhari./Almakos

