Xhemail Çupi, kandidat i Besës për kryetar të Dibrës, në intervistën për Almakos, flet për vizionin e tij për qytetin, i cili mbështetet në strategjinë për zhvillimin ekonomik të rajonit. Çupi, thotë se kandidatura e tij paraqet frymën e re dibrane, ku përfshihen gati 50 intelektual të ri nga profile të ndryshme, duke punuar nëpër qendra të ndryshme të rajonit, por të gatshëm për të marrë mbi supet e tyre përgjegjësinë për rimëkëmbjen ekonomike të qytetit.
Ai është shumë kritik ndaj punës së kryetarit aktual Ruzhdi Latës, të cilën e akuzon për drejtimin e komunës pa vizion, për pengimin e shumë investimeve nga jashtë, bile edhe për korrupsion. Sipas tij, Lata, miqve të vet u ka lejuar të ndërtojë vila të egra në bregun e liqenit, nuk ka arritur të zgjidhë problemin e deponisë që vazhdimisht ndotë ambientin dhe nuk ka siguruar furnizim të rregullt me ujë të pishëm për dibranët.
Nëse zgjidhet për kryetar të Dibrës, Çupi premton realizimin e projektit të unazës së qytetit, revitalizimin e sheshit dhe parkut të qytetit, ndërtimin e sistemit për vaditje dhe urbanizimin e bregut të liqenit, për të nxitur zhvillimin e turizmit.
Çupi është optimist se me ndërtimin e rrugës së Arbërit, nga ana shqiptare e kufirit, Dibra më nuk do të jetë zorrë qore, por do të jetë zonë e lidhur me bregdetin shqiptar dhe do ketë perspektivë më të mirë ekonomike.