Më poshtë e gjeni pjesën e fjalimit të Ministrit për diasporë, Xhemail Çupi, në takimin e mësuesve, për nder të “Ditës së Mësuesit – 7 marsit”, organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD).
“7 marsi, dita e mësuesit, nuk është festë vetëm për punonjësit të arsimit shqiptar, ajo përllogaritet si festë mbarë kombëtare. Në këtë ditë kujtojmë me respekt të thellë veprat e ndritura të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes, moralit dhe vetëdijes kolektive. Ajo edukimit i dha karakter patriotik që duhet trasuar nga brezi në brez.
Me këtë rast nuk duhet harruar edhe rolin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë në mërgatë që në shumë raste me vet kontribut mbajnë hapur shkollat shqipe të mësimit plotësues.
Sot, më duhet të them se përballemi me një situatë tejet alarmante të “ikjes së trurit”, ku të rinjtë shkollohen, specializohen dhe edukohen në vendet e tyre por frutat e tyre i gëzon vendi i huaj, andaj siç është e bashkuar mërgata shqiptare që vjen prej Kosove, Shqipërie, Maqedonie të Veriut, etj. po aq të unifikuar duhet të jenë edhe tre shtetet reprezentative dhe me këtë rast theksi vendoset te aspekti ligjor dhe normativ, gjegjësisht te unifikimi i programeve studimore, kurikulave, abetares së unifikuar, e shumë projekteve të tjera”.