11 May
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka njoftuar deputetët kërkesën e ministrisë së Pushtetit Lokal për marrjen e masave ligjore për sigurimin e funksionimit kushtetues të njësive të vetëqeverisjes lokale.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kërkesën ia ka dorëzuar deputetëve sepse kjo çështje është e drejtë ekskluzive e Kuvendit për marrëveshje urgjente mes të gjitha partive politike parlamentare lidhur me ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor – njoftojnë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Nga LSDM deklarojnë se nuk kanë një strategji apo opsion tjetër përmes së cilit do mundësohej funksionimi i komunave deri në shpalljen e zgjedhjeve lokale, por thonë se zgjidhja e këtij problemi është e drejtë ekskluzive e Kuvendit.
Zgjidhja e vakumit që pritet të ndodhë pas 15 majit është nën kompetencë ekskluzive të Kuvendit të Maqedonisë dhe vetëm me vendim apo zgjidhje ligjore të Kuvendit mund që ky problem të tejkalohet, çdo gjë tjetër nuk do ishte valide. Zgjidhja më relevante do ishte ndryshimet e ligjit për zgjedhje, ku do të caktohet data e re për zgjedhjet lokale – tha Dragi Davcevski, LSDM.
Edhe nga VMRO DPMNE thonë se zgjidhja e vetme qëndron në ndryshimeve ligjore.
Sigurisht që krerët e komunave nuk do i lëshojnë komunat e tyre dhe të ikin, do kërkojmë që të gjendet ndonjë zgjidhje. Zgjidhja e mençur do ishte ndryshimi i ligjit për zgjedhje përmes së cilës do të vendoset kur do mbahen zgjedhjet lokale – u shpreh Goran Angellov,VMRO DPMNE.
Zgjidhja në Kuvend kërkohet pas Gjykata kushtetuese të mërkurën u deklarua jo kompetente lidhur me nismën e Ministrisë së Pushtetit lokal për shfuqizimin e dy neneve të ligjin për pushtetin lokal dhe kodin zgjedhor që do të mundësonin zgjatjen e mandatit të kryetarëve të Komunave. Mandati katër vjeçar i komunave skadon më 15 maj pas çka drejtuesit e tyre nuk do të ketë më asnjë kompetencë menaxhimi me komunat edhe pse nga VMRO-ja sot deklaruan se ka mekanizma që pushteti lokal të mund të funksionojnë deri në fund të vitit.
Vjollca Aliti

