Kryetari i Kuvendit Talat Xhaeri, si përgjegjës për mbarvajtjen e punës së Parlamentit, nuk tregon se si mendon të evitojë bllokadën e opozitës maqedone lidhur me miratimin e Ligjit për gjuhët, pasi kryetari Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretojë, njofton Almakos.
Kryetari Xhaferi tre ditë me radhë ka injoruar pyetjet e Almakos lidhur me masat që po ndërmerr për të kapërcyer pengesat për miratimin e Ligjit për gjuhët. Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Kuvendit injoron pyetjet e mediave shqipe lidhur me punën e Kuvendit duke u arsyetuar me agjendën e ngjeshur. Nga ana tjetër, Xhaferi gjen kohë të jep intervista dhe të bëjë deklara për mediat në gjuhën maqedone, ndërsa me muaj injoron kërkesat e gazetarëve shqiptar për intervistë apo edhe për deklarata.
Derisa Xhaferi fshihet nga media shqipe dhe opinioni shqiptar, kordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, fton atë të merr përgjegjësi dhe të gjejë zgjidhje për zhbllokimin e miratimit të Ligjit për gjuhët, të bllokuar nga opozita maqedone me dorëzimin e mbi 35 mijë amandamenteve.
“Besoj se kryetatari i Parlamentit, i cili është përgjegjës për organizimin e punës së tij, në përputhje në Rregulllorën e Kuvendit, do të mundësojë kushte për përfundimin e procedurës për Ligjin për përdorimin e gjuhëve… por gjithashtu se do të mundësojë funksionimin e institucionit ligjvënës me qëllim që të përmbyllen reformat ligjore, të cilat janë të nevojshme për përparimin demokratik dhe integrues të Maqedonisë”- thotë Tuntev.
Pa përmendur ndonjë hap konkret për debllokimin e procesit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, zëvendëskryeministri për Çështje europiane, Bujar Osmani, një ditë më parë tha se Ligjit për gjuhët nuk ka kthim prapa dhe se shpreson se VMRO-DPMNE do të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrim.
“Unë mendoj se ende ka hapësirë opozita të jetë më e arsyeshme në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, sepse ai është proces i cili nuk ka kthim prapa dhe i cili ka marrë besimin e 69 deputetëve. deklaroi Osmani.
Në bazë të rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, shumica parlamentare mund t’i shpallë si të pavlefshme amendamentet e propozuara nga partia me e madhe opozitare maqedonase dhe ta vendosë në votim Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Në një situatë të tillë, nga VMRO-DPMNE thonë se hapin e rradhës do ta hidhnin drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila do të ngarkohej me vërtetimin e kushtetushmërisë së këtij ligji.
Me bllokimin e punës së Kuvendit nuk rrjedh me ritëm normal as procesi i zbatimit të reformave, që për fatin eurointegrues të Maqedonisë kanë rëndësi të jashtëzakonshme.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com