Zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa dikaster, Dimitris Xanakapollus, në intervistë për radion “Njuz247”, edhe një herë përsëriti se në Parlamentin grek ekziston shumicë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe sqaroi se disa ditë pas votimit, do të ratifikohet edhe protokolli për hyrjen e Maqedonisë në NATO, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Qëllimi i Qeverisë, por edhe i korrelacioneve parlamentare ashtu si janë formuar në këtë moment tregojnë se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet me mbi 151 vota, ashtu edhe siç nevojitet”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa dikaster.
Xanakapollus i mohon spekulimet dhe skenarët se protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO do të ratifikohej pas zgjedhjeve në Greqi, duke komentuar se “ato informacione nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin”.
“Protokolli do të ratifikohet pas disa ditëve nga momenti kur Marrëveshja e Prespës do të vjen për ratifikim në Parlament, menjëherë pasi që të votohet me shumicë absolute të deputetëve, ndërsa dihet qartë se ky është qëllimi i Qeverisë. Vetë kryeministri në bisedë me gazetarët sqaroi se e gjithë ajo që përmendet si transferim i mundshëm i votimit të protokollit për hyrje në NATO pas zgjedhjeve është marrëzi absolute”, tha Xanakapollus.
Ai shfaqi shpresë se së paku katër deputetë të partisë Potami, në mesin e të cilëve edhe lideri i partisë, do të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.
Në lidhje me probabilitetin e Demokracisë së Re që të ngre propozim për votim të mosbesimit të Qeverisë, Xanakapollus komentoi se iniciativa e tillë është e mirëseardhur.
“Pres që zotëri Micotakisi do ta përsërisë veprimin të cilin e bëri në qershor të vitit të kaluar që ta marrë të njëjtën përgjigje”, tha Xanakapollus në intervistën për radion dhe sqaroi edhe se me tërheqjen eventuale të Grekëve të Pavarur nga koalicioni, në asnjë rast nuk do të ketë mosbesim për Qeverinë nga Parlamenti.