Lideri i Partisë Përparimtare Serbe (PPS) dhe kryeministër aktual Aleksandar Vuçiç gjatë votimit sot për zgjedhje presidenciale, ku ai është njëri nga kandidatët, u shpreh se Serbia në këto zgjedhje do të sigurojë stabilitet dhe vazhdimin e reformave ekonomike dhe suksesin ekonomik, raporton Anadolu Agency (AA).
“Shpresoj se Serbia me këto zgjedhje do të sigurojë stabilitet dhe vazhdimin e reformave ekonomike, suksesin ekonomik. Sidoqoftë, dëshiroj të besoj se askujt nuk do t’i shkoj në mendje ta destabilizojë Serbinë dhe ta bëjë atë që e premtonte në fushatën zgjedhore”, theksoi Vuçiç.
Ai shprehu bindjen se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e madhe dhe se njerëzit në mënyrë demokratike do të vendosin për ardhmërinë e tyre.
Duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve për pritjet e fitores në raundin e parë, Vuçiç theksoi se do të pranojë vullnetin e popullit në Serbi.
“Çdoherë shpresoni për atë. Shpresoni për sukses, fitore, ndërsa popullit i takon të tregojë çfarë dëshiron dhe mendon. Unë çdo vullnet të njerëzve në Serbi do ta pranoj dhe njoh dhe nëse humbas po të njëjtën sekondë do t’ua uroj kundërshtarët e mi. Nëse është ndryshe, do të ishte më e ndershme, të paktën pas të gjitha fyerjeve që i drejtuan dhe fushatën më të ndyrë që zhvilluan, të urojnë. Sido që të jetë, lidhur me mua, unë jam tërësisht i qetë, kam punuar më së miri që kam mundur për vendin tonë, ndërsa nëse populli do të thotë se ka qenë mjaftueshëm ose jo, atë do ta shohim sonte”, porositi Vuçiç.