Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpërndarë një foto në rrjetin social “Facebook”, përmes së cilës ka njoftuar se katër anëtarë të një familje janë vrarë nga forcat ruse, teksa po largoheshin nga qyteti.
“Barbari ruse mbi civilet! Tatjana, Anatolij, Alisa, Miketa, po largoheshin nga qyteti, ekzekutohen nga terroristet me uniforme te Putinit!”, ka shkruar Berisha.
Corriere Della Sera njofton se Alisa ishte 9-vjeçare, Miketa 18-vjeçar, Anatoli 27 vjeç dhe Tatiana 43-vjeçare.
E për vrasjen e kësaj familje ka treguar edhe Andriy Dubchak, fotograf ukrainas që bashkëpunon me New York Times.
“Po ecja nëpër rrugët e Irpinit, qyteza e sulmuar nga rusët në veriperëndim të Kievit. Kishte refugjatë që përpiqeshin të largoheshin. Po bëja foto dhe filmime. Pak më herët kisha dëgjuar të shtëna automatiku, po lëvizja me kolegë të tjerë. Në një moment ishte e qartë se rusët kishin parë nga distanca njerëzit që po largoheshin. Ishin me qindra: gra, fëmijë, të moshuar, të sëmurë po ndihmoheshin prej vullnetarëve. Në atë çast erdhi predha”, tregoi fotografi, shkruan Corriere Della Sera.
Ai po ashtu njofton se kishte mësuar se ishte një familje nga Donetsku që kishin shkuar në Irpin.