Gjykata e Tiranës ka shpallur të larguar nga vendi Fadi Alwan, 49-vjeçarin palestinez të akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Rayyan Alwan, 22 vjeç, në shkurt 2025 në Tiranë.
Vendimi u mor pas refuzimit të drejtësisë së Libanit për të ekstraduar në Shqipëri, autorin e dyshuar, i cili u arrestua në këtë shtet më 23 prill 2025.
Përmes një shkrese të datës 18.09.2025, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka informuar se Republika e Libanit ka refuzuar ekstradimin në Shqipëri në 49 vjeçarit.
Si ndodhi ngjarja
Babë e bijë erdhën nga Gjermani në Tiranë në muajin shkurt 2025. Vrasja ndodhi në banesën që ata morën me qira dhe u zbulua pak ditë më vonë nga pronarja e apartamentit, pasi burri ishte arratisur drejt Libanit.
Motivet e këtij krimi të rëndë mbeten ende mister. E reja nënë e 3 fëmijëve ishte divorcuar, dhe të vegjlit jetonin në Liban me babanë e tyre. Në Gjermani Rayyan Alwan nisi një jetë të re, dhe afrimi i saj me traditat perëndimore dyshohet se u bë shkak për probleme të vazhdueshme të 24-vjeçares me familjen e saj, prindërit dhe vëllezërit.
Për këto shqetësime vajza kishte bërë edhe denoncim në polici në Gjermani. Hetuesit ende dyshojnë se në planin për të vrarë vajzën të jetë përfshirë edhe nëna e saj, megjithatë për këtë pistë mungojnë ende provat bindëse.


