Një 41 vjeçar është dënuar nga sistemi ligjor i Britanisë me 17 vite burg, pasi akuzohet për vrasjen e pronarit të tij grek disa vite më parë.
Arjan Balla, në 2006 ndoqi dhe sulmoi biznesmenin e shtetit fqinj, Anastassios Delis në një kantier ndërtimi në Queensway, Southampton të Britanisë së Madhe.
Për shkak të sulmit, Delis pësoi një dëmtim të rëndë në tru duke e lënë atë në koma për 11 vite, pasi në vitin 2017 ndërroi jetë në moshën 68 vjeçare.
Pas vdekjes së biznesmenit, shqiptarit i rëndoi akuza e vrasjes nga pakujdësia, por përgjatë hetimeve u zbulua se ai përdorte identitet të rremë.
Emri i tij i vërtetë është Arjan Balla, por identiteti që përdorte vite më parë kur ndodhi e vepra penale ishte Tahir Karaj.
Sipas BBC, 41 vjeçari në vitin 2007 u dënua me 3 vite heqje lirie, nga të cilat vuajti 1 vit përpara se të dëbohej në vendlindjen e tij, Shqipëri.
Në fakt, identiteti i tij real u zbulua në janar të këtij viti, për shkak të hetimeve nga Policia e Hampshire, Agjencia Kombëtare e Krimit, Interpoli dhe autoritetet shqiptare.
Ai u arrestua kur mbërriti në aeroportin Stanstead vetëm 3 ditë më vonë.