Shkruan: Bekim Qoku
Një dokumentar (Vrasje në Tetovë, 2023) rreth tragjedisë së ndodhur në Tetovë më 8 shtator 2021, kur një spital modular i instaluar për pacientën me Covid 19 u dogj tërësisht, me ç’rast humbën jetën nga flakët 14 njerëz.
Dokumentari vlen të shihet, sepse për një kohë prej rreth 1 orësh kupton që i tërë sistemi i shtetit, nga administrimi i spitalit shtetëror, te inspektoratet shtetërore dhe lokale që japin dritën jeshile për përdorimin e një impjanti të kësaj kategorie, te prokuroria komunale dhe republikane, deri te ministria e shëndetësisë dhe dhe vetë qeveria, pra i tërë sistemi shtetëror është metastazuar nga korrupsioni dhe duket tërësisht i kalbur.
Dokumentari, për fat të keq, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Ndoshta edhe sepse në ekipin hulumtues nuk kishte asnjë shqiptar, megjithëse objekti i hulumtimit ishte në një komunë shqiptare dhe të gjitha viktimat janë shqiptarë.
Dokumentari ka disa lexime. Nëse do më kërkohej të veçoja vetëm dy lexime, ato do të ishin këto:
Leximi i parë është se nga gjithë ato aktorë të mëdhëj që mbajnë përgjegjësinë kryesore të rastit, nga ish ministri i shëndetësisë Venko Filiçe ministër në detyrë kur ndohi tragjedia, Vanja Andonova arqitektja përgjegjëse e Ministrisë së Shëndetësisë përgjegjëse për instalimin e spitaleve modulare, Koço Angjushev që ishte zv. kryeministër për çështje ekonomike në qeverinë e MV dhe pronar i kompanisë realizuese të projektit të 19 spitaleve modulare, Prokurori i përgjthshëm Ljubomir Joveski, nga gjithë këta aktorë kryesore dënim morën vetëm dy shqiptarë, Florimi dhe Artani, dy ish drejtorë të spitalit të Tetovës, pa paragjykuar fajësinë apo pafjësinë e asnjërit. Më shumë dënime u shqiptuan ndaj disa protestuesve që dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi.
Leximi i dytë, diku nga fundi, në minutën e 1.14:00, narratorja përmend një fakt interesat, kur thotë se, citoj: “:ndërmjet viteve 2016 deri 2021, në katër aksidente kanë humbur jetën 97 njerëz.”
Të katër aksidentet që i përmend ajo kanë ndodhur në zonat ku jetojnë shumica shqiptarë dhe në autobusët e kompanive shqiptare. Dhe natyrisht, mbi 90% e viktimave janë shqiptarë.
Shqiptarët e MV, ngaqë këtë shtet nuk e konsiderojnë të vetin dhe rrjedhimisht nuk i qëndrojnë atij besnik, kanë ndërtuar ligjërimin se të vjedhësh shtetin, pra t’i shkaktosh zullum institucioneve të Maqedonisë së Veriut aty ku punon, ku je drejtor apo zyrtar, nuk është haram. Vidhe këtë shtet sa të mundesh, është motoja.
Por, por, nga statistika e sipër përmendur, po na del që zyrtarët shqiptarë po vjedhin kryesisht të mirat e shqiptarëve, dhe nuk vjedhin “shtetin” në Strumicë apo Shtip.