Autori i vrasjes së Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa ka deklaruar se ai dhe tani e ndjera kanë qenë përdorues të drogës. Gjatë seancës gjyqësore, Krivaqa ka mohuar t’i ketë shkaktuar lëndime të rënda Osmanit, por sipas tij e ka goditur vetëm me 3-4 shpulla, por jo me shkop.
“Unë dhe Marigona e ndjera kemi qenë përdorues të drogës. E ndjera ka qenë përdoruese edhe para se të njoftohej me mua, edhe unë gjithashtu. Ndërsa prej ditës së parë që jemi lidhur, dytë kemi qenë përdorues të drogës të llojeve; Kremit, kokainës, ekstazi, speed, marihuanë, hashash, xanax, tramadol, po ashtu kemi qenë edhe përdorues të alkoolit. Nuk e kam goditur asnjëherë me shkop. Përleshja ka ndodhur në fillim në mëngjesin e së shtunës, pastaj të nesërmen iu ka përkeqësu gjendja të ndjerës, kur e kom pa që është gjendje të keqe, s’kom mujt me vërejt se edhe vet jam kanë në gjendje të narkotikëve, e kam marrë e kam dërgu në spital, kam qenë i stresum, në panik, në paranojë, i traumatizum, s’kam qenë vetvetja. Asnjëherë nuk e kam goditë të ndjerën me shkop. Me duar e kam goditë 3-4 shuplaka, kjo ka ndodh të shtunën,” tha Krivaqa.
Po ashtu ai ka thënë se plagët që Osmani ka pësuar i ka marrë si pasojë e rrëzimit nga shkallët.
“Të dielën asnjëherë nuk e kam goditë. Nuk i kam thyer asnjë pjesë të trupit, nuk e kam goditë asnjëherë siç është lëndu. Lëndimet kanë ardhë si pasojë e rrëzimit nga kati i 5-të, që kemi qenë duke shku te spitali. Jam rrëzu bashkë me të ndjerën 2 herë. 1 herë më ka ra nga duart, s’kam mujt me çu për shkak të panikut, stresit, s’kam pas fuqi as vetë. Ka pasë lift është vonuar lifti. Arbëri ka dalë e ka thirrë liftin, por është vonuar, dhe kam vendosur me shku shkallëve”, tha ai.
Në gusht të vitit 2023, Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”. Pjesëmarrësit në protestë janë parë duke mbajtur mbishkrimet “Ne nuk harrojmë”, “Drejtësi për Marigonën”, “Siguri dhe drejtësi për gratë” e tjera.
Më 23 shkurt, Apeli e ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit. Të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. Marigona Osmani ka qenë 18-vjeçare kur është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Krivaqa e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Sipas aktakuzës, Krivaqa, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar në forma të ndryshme.