Të akuzuarit Bajram Limani dhe Amir Latifi e pranuan se kanë kryer vrasjen e “Komandant Shqiponjës”, mirëpo ata thanë se atë nuk e kanë kryer me planifikim dhe paramendim, por vrasja sipas tyre ka qenë vrasje çasti dhe në vetëmbrojte. Mirëpo, shqiptimi i dënimit për ta nuk u shqiptua as sot sepse atyre edhe njëherë u dha mundësia që të deklarojnë pafajësinë e tyre dhe kjo gjë u kundërshtua edhe nga prokurori.
I akuzuari i parë Bajram Limani,e pranoi veprën e bërë, por deklaroi se nuk ndihet aspak fajtor, pasi sipas tij rrethanat kanë qenë të tilla që atë e kanë detyruar të veprojnë në atë mënyrë.
“E pranoj vrasjen. Por, nuk ndihem fajtor sepse me asnjë fakt ajo nuk është vërtetuar as në këtë seancë. Gjashtë javë më parë më kanë kërcënuar me jetë, kjo nënkupton se kur ata kanë ardhur në vendin tim të punës të paftuar, un mendova që kanë ardhur t’i realizojnë ato kërcënime. Në atë situatë tek ne është ndjellur frikë dhe në atë situatë, veprimet e mia i pranoj si vrasje në vetëmbrojtje pa vullnetin tim, duke mos arritur t’i kontrolloj veprimet e mia”, ka deklaruar Bajram Limani, i akuzuar.
I akuzuari tjetër Amir Latifi, e pranoi se ka kryer vetëm plagosjen e Gani Demirit,por jo edhe akuzat për të plagosurit e tjerë.
“E pranoj veprën e bërë në vetëmbrojte, për Gani Demiri, por nuk i pranoj akuzat edhe për të akuzuarin Shefki Rexhepi”, tha Amir Latifi, i akuzuar
Edhe avokatët mbrojtës e mbronin të njëjtë tezë, se vrasje nuk ka qenë me paramendim, por ajo është kryer në vetëmbrojtje dhe se zgjatja e gjithë këtij procesi gjyqësor ka sjellur dëmtim të rëndë psiqik për të akuzuarit.
“Të akuzuarit mbajnë përgjegjësi për veprat e bëra, ata këtë edhe e pranuan. Por, vrasja nuk ka ndodhur me paramendim, ajo ka qenë vrasje çasti. Ata nuk kanë munduar që situatën ta kenë nën kontroll dhe kështu ka ardhur deri te vrasja. Kjo mund të shihet edhe përmes video incizimeve. Por, njënjë është shumë e sigurt se grupi i koordinuar nga Xhemail Rexhepi kanë ardhur në atë lokal me qëllim likuidimin e Bajram Limanit”, ka deklaruar Hrisrijan Georgievski, avokat mbrojtës.
Mirëpo, kështu nuk mendojnë edhe familjarët e “Shqiponjës”, përkundrazi për ta vrasja ka qenë e organizuar mirë dhe me paramendim. Për këtë Qail Rexhepi tha se ata nuk do të ndalen këtu, por do të vazhdojnë edhe më tej dhe se drejtësinë do ta kërkojnë deri në fund.
“Normal kjo është vrasje me paramendim, e organizuar dhe vrasje politike. Drejtësinë do ta kërkojmë deri në fund, do të apelojmë edhe tek gjykata në Shkup, në Gjykatën e Apelit. Ne kemi fakte, kemi inçizime, janë gjitha detajet dhe mendoj se patjetër duhet të apelojmë”, deklaroi Qail Rexhepi, vëllai i “Komandant Shqiponja”.
Shqiptimi i dënimit siç u paralajmërua edhe njëherë nga gjykata, pritet të bëhet më 19 maj.
Emine Ismaili /SHENJA/
Vrasja e ‘Komandant Shqiponjës”/ Të akuzuarit… by tvshenjaofficial

