Gjashtë vite pas vrasjes brutale të ish snajperistit kurd Hemaëand Ali Hussain në Hartlepool, autoritetet britanike kanë ngritur akuza ndaj një personi tjetër në lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për një 40-vjeçar shqiptar, i cili u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel.
Shqiptari Sajmir Dodoveci u arrestua më 23 dhjetor në një stacion treni në Bruksel si pjesë e një hetimi të përbashkët mes Policisë së Cleveland, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai u ekstradua këtë javë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai akuzohet për vrasjen e 32-vjeçarit Hussain, i cili u qëllua për vdekje nga afër brenda një banese në rrugën Charterhouse në shtator të vitit 2019.
40-vjeçari doli para Gjykatës së Magjistratëve në Teesside më 9 janar dhe u la në paraburgim deri në paraqitjen e radhës në Gjykatën e Kurorës më 13 janar.
Më herët, për këtë ngjarje u dënua me burg përjetë edhe Eugert Merizaj, ndërsa tre persona të tjerë u dënuan në janar 2021 për vrasje nga pakujdesia. Një tjetër i dyshuar u arrestua në Belgjikë në shkurt 2024 dhe pritet të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë.
Ndërkohë, 26-vjeçari Armando Marku, i kërkuar gjithashtu për këtë vrasje, mbetet ende në arrati. Policia britanike ka bërë thirrje për ndihmë publike, duke theksuar se hetimet ndërkombëtare po vazhdojnë dhe se autoritetet janë të vendosura për të vënë para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë.


