Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë ndaj shtetit ligjor.
Në deklaratën zyrtare, Çela shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit dhe theksoi nevojën për rritjen e sigurisë së magjistratëve. Ai ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tronditëse.
Reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm:
PROKURORIA E PËRGJITHSHME Reagim i Prokurorit të Përgjithshëm për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor. Prokurori i Përgjithshmëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistrateve në të gjitha aspektet.
Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.